Lajme

Fluksi i madh i mërgimtarëve në Merdarë, Policia kërkon që të shfrytëzohen edhe pika tjera kufitare

Foto e ilustruar

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të fluksit të madh, pritjet e bashkatdhetarëve në pikëkalimin kufitar Merdarë hyrje/dalje janë deri në katër orë.

Ndaj, ka bërë apel që të shfrytëzojnë edhe pikat tjera kufitare si atë Mutivodë, Dheu i Bardhë, por edhe atë në Jarinje ku sipas policisë, aktualisht nuk ka pritje të gjata.

Policia tutje thotë se koha e pritjes nuk varet vetëm nga zyrtarët e tyre.

“Departamenti i Kufirit i Policisë së Kosovës, njofton të gjithë qytetarët, në veçanti bashkatdhetarët që janë duke shfrytëzuar Pikën e Kalimit Kufitar Merdare për hyrje-daljen për në Republikën e Kosovës, se: për shkak të fluksit tepër të madh të udhëtareve me vetura, pritjet aktualisht (ora 12:29, datë 31.07.2021) në hyrje/dalje janë nga 200 deri në 240 minuta (shih tabelën më poshtë)”.

“Andaj, kërkojmë, lusim në veçanti bashkatdhetarët, që në fakt janë shumica dërmuese e atyre që po presim me orë të tëra në këtë pikë kufitare, të shfrytëzojnë edhe pikat tjera kufitar, si: Pikën e Kalimit Kufitar Mutivodë, Dheu i Bardhë, por edhe atë në Jarinje ku aktualisht nuk ka pritjet të gjata”.

Ndryshe, mërgimtarë të shumtë kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Kosovë.

Numri i tyre është shumëfishuar pasi që një pjesë e tyre nuk kanë mundur që të vijnë vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19.

Disa prej tyre tashmë kanë përfunduar pushimet në Kosovë dhe po kthehen në vendet ku jetojnë./SHQIP.com