Lajme Botë

Florida, pas një sulmi vriten tre afrikano-amerikanë

Një burrë i bardhë i maskuar, që mbante të paktën një armë në të cilën ishte vizatuar simboli nazist “svastika”, vrau tre afrikano-amerikanë brenda një dyqani në Florida të shtunën, në një sulm që sipas zyrtarëve, kishte motiv të qartë urrejtjen racore.

Sherifi në Jacksonville T.K Waters tha se të shtënat në një dyqan në një lagje me shumicë afrikano-amerikane lanë të vdekur dy burra dhe një grua dhe sulmi ishte me motive racore.

Përveç mbajtjes së një arme zjarri me një simbol të vizatuar të regjimit gjenocidal nazist të Gjermanisë së viteve 1930 dhe 1940, sulmuesi bëri deklarata raciste para sulmit. Ai vrau veten në vendin e ngjarjes.

“Ai i urrente njerëzit me ngjyrë”, tha sherifi.

Të shtënat ndodhën në të njëjtën ditë kur mijëra amerikanë përkujtuan 60-vjetorin e Marshimit në Uashington, një prej ngjarjeve kryesore të lëvizjes për të drejtat civile të viteve ’60 në Shtetet e Bashkuara, gjatë të cilit, pastori Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin e tij frymëzues “I Have a Dream”, “Unë kam një ëndërr”.

Sulmuesi, një burrë në të 20-tat, kishte veshur një jelek antiplumb dhe përdori një pistoletë Glock si dhe një pushkë gjysmë automatike AR-15. Ai veproi i vetëm dhe nuk kishte asnjë provë se ishte pjesë e ndonjë grupi, tha sherifi Waters.

Sulmuesi dërgoi deklarata me shkrim te forcat federale të zbatimi të ligjit dhe të paktën një media pak para sulmit, me prova që sugjeronin se sulmi kishte për qëllim të shënonte përvjetorin e pestë të vrasjes së dy personave gjatë një turneu video lojërash në Jacksonville nga një sulmues që vrau veten gjithashtu.

Pak para sulmit, burri i armatosur i dërgoi babait të tij një mesazh duke i thënë të kontrollonte kompjuterin, ku u gjetën shkrimet e tij. Familja njoftoi policinë, por të të shtënat tashmë kishin filluar, tha sherifi Waters. /VOA

/Shqip.com