Lajme

Flet avokati i të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj

Lajmi i Fundit.

Qyteti i Ferizajt të shtunën pas mesnatë u trazua nga një vrasje.

Një person i moshës 30 vjeçare ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në Ferizaj, saktësisht në rrugën “Rexhep Bislimi”.

Lidhur më këtë ngjarje, Policia e Kosovës e ka arrestuar të dyshuari dhe i dyshuari është dërguar në Spital.

Shqip.com ka kontaktuar avokatin e tij, Kastriot Zenunin për të marr një prononcim lidhur me gjendjen e të dyshuarit.

Zenuni për Shqip.com ka thënë se i dyshuari momentalisht gjendet në Spital duke marrë tretmanin e duhur mjekësor.

Po ashtu Zenuni ka theksuar se seanca ndaj të dyshuarit është mbajtur në spital ku edhe po qëndron i dyshuari.

“Seanca është mbajtur në Spital, gjendja shëndetësore e tij është jo stabile por që është jashtë rrezikut për jetë sipas mjekëve, i dyshuari ka qenë në gjendje të flasë vetem me po ose jo’’ ka thënë Zenuni.

Ai po ashtu ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë vendim për masën e paraburgimit.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, lidhur më këtë ngjarje në raportin 24 orësh, Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin.

Sipas raportit bëhet e ditur se i dyshuari për vrasjen e 30 vjeçarit, është plagosur nga një zyrtar policor në detyrë i cili ishte me rroba civile dhe ka intervenuar në momentin kur ka ndodhur vrasja.

“I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur.” thuhet në raportin e Policisë.

Policia njofton po ashtu se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit është lëshuar vendim në mbajtje

Ndërsa edhe nga Prokuroria kanë dhënë detaje për Shqip.com

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari ka treguar për Shqip.com se ngjarja është zhvilluar para një marketi dhe se afër tij ishte një patrullë e policisë.

“I dyshuari afrohet tek marketi dhe gjuan në drejtim të viktimës, i cili ka qenë brenda marketit. Në atë moment zyrtari policor në rroba civile, i cili ishte duke kryer një ndalim tjetër dhe ka rastisur në ato momente ka filluar ndjekjen e të dyshuarit duke i thënë me fjalë “ndal policia” dhe i është prezantuar si policë, mirëpo ka qenë i rrezikuar dhe është detyruar të shtënë me armë zjarri”, ka thënë Jashari.

Jashari ka deklaruar se motivi i vrasjes ende nuk dihet, pasi që personi, i cili ishte duke shoqëruar viktimën është arratisur nga vendi i ngjarjes./Shqip.com