Lajme

Flet prindi i infermieres që sulmoi të moshuarën

Gjatë ditës së sotme një grua e moshuar është sulmuar nga ana e një infermiere në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.

Në lidhje me këtë rast ka ardhur edhe reagimi nga ana e prindit të saj.

Babai i infermieres që e sulmoi fizikisht të moshuarën në Pejë, Naim Pelaj, ka kërkuar falje publike për veprimin e së bijës.

“E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë, Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin që ju ka shkaktuar vajza jonë. E di që po kaloni momente të rënda, por na lejoni që t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë”. tha ai për Klan Kosova.

Po ashtu, Pelaj ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të merren me rastin në fjalë.

Lexo edhe:
Gruaja e sulmuar, nënë e njërit prej dëshmorëve në Gjakovë

Pas sulmit të një grua të moshuare në Pejë në Shtëpinë e të Moshuarave ka ardhur reagimi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Kurtit ajo që ka ndodhur sot ishte e tmerrshme.

“Ajo që pamë sot ishte e tmerrshme. Nuk ka qytetar i cili s’është shokuar, kurse institucionet me të marrë vesh sulmin mbi nënën, të moshuarën, në Qendrën Strehimore në Pejë, janë aktivizuar dhe kanë vepruar. Të moshuarit janë më të dashurit tanë. Ata kanë kontribuar në shoqëri në aq shumë aspekte për kohën më të gjatë sesa të gjithë ne të tjerët. Do të qëndrojmë pranë tyre si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndenjën dhe përkujdesjen qytetare” ka shkruar Kurti.

Burime të Shqip.com bëjnë të ditur se e moshuar që është sulmuar në Pejë është nëna e dëshmorit nga Gjakova, Taulant Nura.

Në një përgjigje për Shqip.com, Fadil Gashi-zëdhënës në rajonin e Pejës ka thënë se rasti në fjalë ka ndodhur pesë ditë më parë.

Më tutje, Gashi, ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë.

Lidhur më këtë rast, Rezidenca për të moshuarit në Pejë “Orenda”, ka suspenduar katër infermiere për rastin e sulmit ndaj një të moshuare.

Po ashtu, Rrjeti i Grave të Kosovës, ka kërkuar t’u hiqet licenca infermiereve dhe të marrin dënimin meritor konform ligjeve.

/Shqip.com