Flamur Noka dhe Gazment Bardhi në Korçë: Protesta e 20 shkurtit, qytetare dhe paqësore
Gazment Bardhi dhe Flamur Noka vijojnë në Qarkun e Korçës takimet me mbështetësit e opozitës, ku i bënë thirrje qytetarëve për të marrë pjesë në protestën e 20 shkurtit.
Bardhi tha se qytetarët duhet të protestojnë për të ardhmen e tyre.
“Nga Korça i bashkohemi turit tonë të bashkimit të demokratëve në bazë dhe sigurisht asaj që ndodh pas dy ditësh, protestës kombëtare të 20 shkurtit. Gjej rastin t’ju bëj thirrje çdo qytetari të Korçës të na bashkohet jo thjesht për të protestuar krah partisë demokratike apo për Partinë Demokratike, por për të protestuar për veten, fëmijët e tyre dhe familjen”, tha ai.
Ndërkohë, Noka tha se Korça është harruar dhe shpopulluar.
“Nga Devolli qëndrojmë në qytetin e Korçës, në këtë Korçë që dikur ka qenë “Zojë e bukur”, por tashmë është e harruar dhe e braktisur, shpopullimi është një nga plagët më të rënda që po ndjen ky qytet ndaj dhe jemi këtu së bashku për të trokitur në dyert e qytetarëve korçarë për të ecur rrugicave të këtij qytëti, për të sensibilizuar qytetarët se sot është dita për të protestuar. Korça ka nevojë për një tjetër këndvështrim, për ndryshim, ka nevojë për vëmendjen e shtetit.”, theksoi ai.
Pyetjes se cili do jetë skenari i protestës Noka nuk iu përgjigj.
“Nuk është nevoja të diskutohet për detajet e protestës. Protesta është protestë dhe qytetarët vinë për të protestuar për asgjë tjetër.”, pohoi Noka.
Ndërsa Bardhi po të njëjtës pyetje i përgjigjet, se “skenarët do i shikoni në datën 20 shkurt nëse do e thonim skenarin e protestës sot do humbte kurioziteti, pa diskutim që protesta është formë reagimi, do jetë reagim qytetar, nuk ka asnjë formë për t’u ndalur, qytetarët do të vijnë bashkë me fëmijët e tyre, familjarë, miq, duhet të jemi të gjithë si një formë reagimi ndaj qeverisë. Protesta do të jetë qytetare, paqësore”.
Flamur Noka dhe Gazment Bardhi përshkuan disa rrugë të qytetit nga pedonalja e deri te Pazari i Korçës ku shpërndanë edhe fletëpalosje me informacione rreth protestës.
/Shqip.com