Sport Shqiptar

Fjalët e para të Visar Bekajt si futbollist i Hatayspor

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Visar Bekaj, është prezantuar nga klubi turk Hatayspor, duke nënshkruar kontratë tre vjeçare.

Ai është prezantuar sot në praninë e kryetarit të klubit Aydin Toksoz dhe trajnerit Volkan Demirel.

Bekaj ka folur për ueb faqen e klubit, duke përmendur fillimisht tërmetin që ka ndodhur në këtë vend dhe qytetet e tjera përreth, ndërsa ka nënvizuar se do të punojnë shumë që të arrijnë sukses.

“E di që në Hatay kanë ndodhur gjëra të tmerrshme (tërmeti), momente të këqija. Kam ardhur këtu për të nisur një kapitull të ri, për këtë klub edhe për gjërat që kanë ndodhur”.

“Ekipi është shumë i mirë, stafi dhe lojtarët më kanë pritur shumë mirë. Besoj që së bashku do të bëjmë më të mirën. Me një atmosferë të mirë do të bëjmë gjëra shumë të mira së bashku”, ka thënë Bekaj.

Trajneri i Hatayspor, Volkan Demirel që në të shkuarën ka qenë portier i Fenerbahces dhe Komëtares së Turqisë, ka thënë se ka dy vite që e përcjell portierin.

“Kemi bërë një transferim shumë të rëndësishëm për klubin. Jam i lumtur që do të punoj me Visar Bekajn. Kam dy vite që e përcjell Visar Bekajn dhe ka qenë e shkruar që këtë vit ta transferojmë. Së bashku me Visarin do të punojmë për sukseset e Hatayspor”, ka thënë Demirel.

Visar Bekaj ka luajtur më parë për Ramiz Sadikun, Prishtinën dhe Tiranën.

/Shqip.com