Lajme

Fitoi përballë veteranit të politikës – ky është profili i kryetarit të ri të Gjilanit, Alban Hyseni

Alban Hyseni, kryetar i komunës së Gjilanit

Lëvizja Vetëvendosje, për herë të parë do të qeverisë në Komunën e Gjilanit. Kandidati i kësaj partie, Alban Hyseni, doli fitues në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit.

Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Alban Hyseni, mori 51,03% të votave kështu duke mposhtur kundërkandidatin nga LDK, Lutfi Hazirin, i cili mori vetëm 48,97% të votave, shkruan Shqip.com.

Hyseni, tashmë kryetar i komunës së Gjilanit, u lind më 23 tetor 1990 në këtë komunë.

Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik dhe ka vijuar studimet master në programin Juridik Penal.

Alban Hyseni ka filluar punën si tutor studentësh në vitin e katërt të studimeve.

Më pas, gjatë viteve 2013-2015, ka vazhduar punën si asistent në lëndët e fushës juridiko-penale. Ka qenë i angazhuar edhe në pozitat si Zyrtar për Marrëdhënie me Jashtë (2013 – 2014), Zyrtar i Cilësisë (2014-2016) dhe më pas edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Kolegjit “ARBËRI” si dhe ishte i angazhuar poashtu si Koordinator i UBT-së në Gjilan, si dhe është pjesë e stafit akademik në kuadër të Fakultetit Juridik, për lëndët e fushës Penale.

Ai vazhdon të jetë i angazhuar me orar të kufizuar në Kolegjin UBT.

Në legjislaturën e fundit ishte deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku u angazhua në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Lutfi Haziri, i cili që nga viti 2000 ishte në krye të Komunës së Gjilanit, u mposht pas katwr mandateve tw fituara, nga Alban Hyseni me mbi 800 vota diferencë.

Haziri, i cili kishte ardhur në krye të komunës në po të njëjtën moshë me atë të Hysenit, mbrëmjen e së dielës, ka pranuar humbjen teksa ka shtuar se qytetarët kanë folur.

“Kemi një dallim prej 700 votash, por është e mjaftueshme për demokracinë tonë dhe për t’i dhënë vendit institucione dhe kryetar të ri të zgjedhur”, tha Haziri.

Programi qeverisës i premtuar nga Hyseni

Kryetari i Komunë së Gjilanit, Alban Hyseni.

Ndër projektet që Hyseni ka premtuar që do t’i realizojë është krijimi i zonave të gjelbra në këtë komunë.

Ai ka prezantuar katër projekte që sipas tij do të rrisin hapësirat e gjelbra në Gjilan. Hyseni ka premtuar se kanë në projekt investimet në dy liqenet artificiale të Gjilanit, ku do të ndërtohen qendra rekreative e sportive.

Hyseni, ndër projektet më me prioritet, ka thënë se e ka infrastrukturën në arsim.

Kryetari i ardhshëm i Gjilanit ka thënë se shumë shkolla të kësaj komune kanë probleme serioze infrastrukturore dhe se ato mbeten prioritet i tij.

“Unë do të filloj prej arsimit, për të përfshirë pjesën e infrastrukturë, për të vazhduar më tutje. Prej skanimit të gjendjes që i kemi bërë sidomos vitin fundit kemi konstatuar se shumë të shkollave të fshatrave, dhe qytetit kanë probleme me infrastrukturën shkollore”.

Sa i përket sektorit të shëndetësisë, Hyseni ka premtuar përmirësim të kushteve në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Ndërtim të qendrave të reja të mjekësisë, laborator për analiza bazë dhe sigurim të kushteve të nevojshme për punë profesionale në të gjitha institucionet e shëndetit primar.

Në ekonomi, Hyseni ka premtuar themelimin e Zonës Ekonomike Industriale ku synon zhvillimin në zona të caktuara të Gjilanit, lidhje me rrugë kyçe, qoftë ato magjistrale, apo zona të veçanta që lidhen me komuna apo regjione. /Shqip.com