Lajme

Firmosin Rama e Zelensky, Shqipëria dhe Ukraina me Traktat Miqësie e Bashkëpunimi

Në kuadër të Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” dhe vizitës së Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në Tiranë u nënshkrua sot “Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”, nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy

Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Sakaq, në nisje të ceremonisë së nënshkrimit, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i dorëzoi Kryeministrit Rama Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti, për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen.

Duke dhënë detajet e nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë me Ukrainën, Kryeministria njofti se “Shqipëria është renditur që në krye të herës përkrah vendeve mbështetëse të Ukrainës dhe luftës së saj të drejtë në mbrojtje të popullit ukrainas”.

Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën, si dhe duke vendosur  theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, në mënyrë të vecantë, të paqes e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për mediat.

/Shqip.com