Sport Ndërkombëtar

Fiorentina – West Ham, sonte finalja e Ligës së Konferencës

Trajneri i Fiorentinës, Vincenzo Italiano, mban lart vigjilencën në prag të finales së Ligës së Konferencës kundër West Hamit, e cila zhvillohet  sot në Pragë.

“Anglezët kanë cilësi dhe talent. Është një skuadër e fortë fizikisht me lojtarë niveli dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm. Detajet do të bëjnë diferencën. Çdo gabim mund të vendosë ndeshjen. Duhet t’i mbajmë antenat ngritur. Dy finale nuk janë gjë e vogël. Shpresojmë që këtë ta fitojmë”, tha tekniku italian në konferencën për shtyp.

Fiorentina dhe West Hemi kanë fituar trofe të fundit të UEFA-s në vitet 1960 dhe një prej klubeve pritet t’i japë fund pritjes së gjatë. Por suksesi i sotëm në trofeun e tretë më të rëndësishëm evropian do të ketë rëndësi edhe për rikthimin e klubeve në Evropë për sezonin e ardhshëm.

Trajneri i West Hamit, David Moyes, tha në konferencë se ai e respekton skuadrën italiane, por qëllimi i londinezëve është vetëm për të fituar.

“Fiorentina më ka surprizuar shumë, duke arritur në një tjetër finale dhe kjo do të thotë shumë për punën e tyre të gjatë. Është një kundërshtar shumë i vështirë. Është gjithnjë e vështirë të ndeshesh me klubet italiane. I respektojmë shumë. Shpresojmë që këto 10 ditë të na kenë mjaftuar për ta përgatitur sa më mirë finalen. Ne duam që të fitojmë trofeun”, nënvizoi tekniku skocez.

“Kemi bërë një miks të mirë, jemi stërvitur dhe argëtuar në Portugali. Kemi luajtur 56 ndeshje mes kampionatit dhe Kupave, ndërsa vitin e shkuar luajtëm 63. Është shumë bukur që të jesh këtu, për këdo nga ne. Kjo finale është një prej arritjeve më të rëndësishme për një trajner. Shpresoj që të jetë një pikënisje. Më e mira duhet ende të vijë dhe unë jam duke e shijuar këtë moment me të gjithë të tjerët”.

/Shqip.com