Lajme

Finlanda vendi më i lumtur në botë – Kosovarët befasojnë me renditje në Indeksin e Lumturisë

Populli në Finland

Për të pestin vit radhazi, Finlanda është vendi më i lumtur në botë, sipas renditjes së Raportit të Lumturisë Botërore bazuar kryesisht në vlerësimet e jetës nga Sondazhi Botëror i Gallup.

Vendi nordik dhe fqinjët e tij, Danimarka, Norvegjia, Suedia dhe Islanda të gjitha qëndrojnë shumë mirë në masat që përdor raporti për të shpjeguar gjetjet e tij: jetëgjatësi e shëndetshme, mbështetje sociale në kohë telashe, korrupsion i ulët dhe besim i lartë shoqëror, bujari në një komunitet ku njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin dhe liri për të marrë vendime kyçe të jetës.

Danimarka vjen në vendin e dytë në renditjen e këtij viti, e ndjekur nga Islanda në vendin e tretë.

Suedia dhe Norvegjia janë në vendin e shtatë dhe të tetë, raporton CCN.

Zvicra, Holanda dhe Luksemburgu zënë vendet nga 4 deri në 6, me Izraelin që renditet në vendin e 9-të dhe Zelandën e Re përmbyll 10-shen e parë.

Ndërsa, Kosova është renditur si vendi i 32-të në Indeksin e Lumturisë në botë, kurse Shqipëria u rendit e parafundit në Europë.

Maqedonia e Veriut renditet pak para Shqipërisë në vendin e 89. Bosnjë-Hercegovina është në vend të 67, Mali i Zi i 75-i . Serbia është një nga 10 shtetet në botë që ka pasur përmirësimin më të lartë, duke u renditur në vend të 43.

Sipas infografikës, kosovarët renditen populli më i lumtur në rajon dhe ndër më të lumturit në botë, duke u renditur në vendin e 32, pothuajse njësoj sa italianët e spanjollët.

Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në rreth 150 vende të botës, të cilëve iu kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. (Shqipëria ka marrë këtë vit 5.199 pikë).

Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit./SHQIP.com