Finale e zjarrtë sonte, Ferizaj premton spektakël dhe triumf

Sonte duke filluar nga ora 20:00, në Palestrën e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj do të zhvillohet ndeshja e pestë dhe finale e Play Off-it të volejbollit në kategorinë e meshkujve.
Pas një rrugëtimi të gjatë, ku pas katër ndeshjeve të zhvilluara në Play Off, rezultati është 2-2, KV Ferizaj dhe KV Peja sonte do të takohen në ndeshjen e pestë, meqë rast do të përcaktohet kampioni i Kosovës dhe skuadra që do e ngrit lartë kupën e më të mirit.
Nga kampi i Ferizajt, janë të sigurt në rezultat pozitiv. Ata shprehen me bindje se sonte do të dhurojnë spektakël edhe kupa do të mbetet në Ferizaj.
Trajneri i KV Ferizaj, Ridvan Grainca, është shprehur se pavarësisht që në ndeshjen e fundit ishin të hendikepuar nga lëndimet, sonte së bashku me tifozërinë do jenë ata që do ta thonë fjalën e fundit.
“Pavarësisht lëndimeve që patëm në ndeshjen e fundit, ne do të kthehemi për fitore në finalen përfundimtare që do të luhet në Ferizaj këtë vikend. Jemi te bashkuar dhe me motivim maksimal që të ngrisim trofeun para tifozëve tanë.
Tifozët do të jenë lojtari i shtatë i ekipit tonë. Ata tanimë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen masive në këtë ndeshje, në mbështetje të skuadrës së qytetit tonë K.V. Ferizaj”, tha Ridvan Grainca, trajner i KV Ferizajt.

Ai ka theksuar se nuk do t’i zhgënjejnë tifozët e qytetit dhe se sigurisht se trofeu do të mbetet në Ferizaj.
Me të njëjtin motiv e besim në fitore është edhe lojtari i KV Ferizaj, Dini Azemi. Tash e shumë vite pjesë e volejbollit ferizajas dhe njëri ndër lojtarët më të mirë në Kosovë ndër vite, ka theksuar se sonte presin përkrahje maksimale nga tifozëria e Ferizajt.
“Pas një rrugëtimi të gjatë finalja dhe kupa janë në duart tona. E nisëm keq Play Off-in me humbje por, shpejt u këndellëm duke shënuar dy fitore. Sonte është ndeshja vendimtare dhe hyjmë të motivuar e të bindur se do jemi ne ata që do e ngrisim trofeun e më të mirit”, tha Aazemi.

Ai shton se kupa është nisur për në qytetin e Ferizajt dhe ky do jetë stacioni i fundit i saj për këtë edicion të garave.
Një natë e veçantë do të jetë edhe për lojtarin e ri dhe shumë premtues, Euron Kamberi. Ai ka theksuar se ky edicion e ka ndihmuar të rritet në aspektin individual sepse ka pasur rastin të stërvitet me lojtarë profesionist prej të cilëve ka mësuar shumë.
Sa i përket ndeshjes së sotme, Kamberi shprehet se asgjë tjetër përveç fitores nuk ekziston në kokat e lojtarëve ferizajas.

“Finalja e sotme është shumë e rëndësishme për secilin prej nesh që kemi derdhur djersë gjatë gjithë kampionati dhe sidomos ndeshjeve të Play Off-it. Ne besojmë fuqishëm në suksesin tonë, që së bashku edhe me ndihmen e tifozërisë do jemi ata që do shpallemi kampion”, tha Kamberi, që luan në pozitën e liberos tek skuadra e KV Ferizaj.
Ndeshja finale mes KV Ferizaj dhe KV Pejës që do të zhvillohet sonte nga ora 20:00 në Palestrën e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj, do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës.
/Shqip.com