Kulturë Kino

Filmat që treguan historinë e Kosovës në kinematë botërore gjatë vitit 2022

Lajmi me Audio

Historia, kultura, lufta e mendësia e një shteti, mund të shpërfaqen në një film të vetëm.

Kosova ka shumë për të treguar dhe një formë e veçantë janë vetë filmat bazuar në histori të vërteta.

Kinematografia viteve të fundit, ka shënuar një rritje dhe po vlerësohet në kinematë botërore.

Duke u nisur nga filmi tashmë i njohur “Zgjoi”, “Vera andrron Detin”, “Illyricum”, “Në kërkim të Venerës”, “Sofra e Varrit”, “Toka Brenda meje”, secili shfaqi copëza të dhimbjeve nëpër të cilat kaloi vendi.

Filmi “Në kërkim të Venerës”, u zgjodh ta përfaqësonte Kosovën në Oscar 2023, mirëpo nuk arriti të kalojë listën e ngushtë të nominimeve.

Mohimi i vetvetes, ndjenjave, trupit, epsheve që shpesh ndodh te të rinjtë e vendit për shkak të mënyrës tradicionale të të jetuarit, shfaqen në detaje në filmin e regjisores Norika Sefës.

Ajo për Shqip.com tha se tematika e filmit e ka intriguar dhe e ka bërë filmin më të veçantë.

“Filmi trajton një situatë familjare, ku në qendër të vëmendjes ka karakterin Venerën, e cila po mundohet të provokojë një ndryshim që po e mundon në jetë, ku familjarët e saj e kanë marrë si të mirëqenë”, tha Sefa.

Ndër të tjera ajo tha se kjo ka ardhur nga vetë fakti që në Kosovë ende ekziston një formë tradicionale e të jetuarit.

“Duke e ditur që ne kemi një jetë “set-up”, ajo nuk diktohet, ne si dimë dëshirat e fshehta të dikujt, dëshirat që shtyjnë tutje me dashtë dikë apo me marrë diçka, dhe kjo ide se si dëshira sillet në formë tradicionale, ku një vajzë nuk di si t’i manovrojë dëshirat e veta nuk dinë si ti shpreh, por është duke munduar të rritet dhe të kuptojë vetveten se si ndikon kjo të tjerët”, ka shtuar tutje regjisorja.

Me shumë vëmendje, e shikueshmëri të madhe, u përcjell edhe premiera e filmit, ku për herë të parë dëgjohet dhe flitet gjuha e lashtë ilire “Illyricvm”.

Pikërisht me këtë emër është titulluar filmi artistik i metrazhit të gjatë me regji dhe skenar të Simon Bogojević Narath dhe është bashkëprodhim i Kosovës, Kroacisë, Sllovenisë, Italisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Aktori nga Kosova, Ylber Bardhi, që luan një ndër rolet kryesore në film, e që vjen nga fisi Liburans, tha për Shqip.com se filmi është xhiruar në trojet ilire të asaj kohe, në Dalmaci, Liburni, Dezidiat dhe Japod.

Sipas aktorit, filmi është i veçantë e këtë e bënë fakti që për herë të parë në kinematografinë botërore, dëgjohet dhe flitet gjuha e lashtë ilire.

“Illyricvm”, për herë të parë premierën e kishte në Pula të Kroacisë më 21 korrik, ndërkaq në Kosovë erdhi më 28 tetor dhe u shfaqë në Cineplexx.

Lufta për mbijetesë në Kosovën e vitit 1999, erdhi përmes filmit “Sofra e Varrit”.

Ky film trajton luftën e Ukës për të mbrojtur anëtarët e familjes gjatë luftës, në bjeshkët e larta.

“Duke ditur që paramilitarët do të vijnë së shpejti edhe në bjeshkë, Uka vendos të hap një varr të improvizuar ku mund të jetojnë brenda vajza dhe nipi i tij. Ai krijon varrin e improvizuar afër varrit të vërtetë të gruas së tij”, tregon autori i filmit, Mentor Zymberaj.

Filmi, u shfaq në shumë festivale, si në New York, Bullgari, Greqi, e ku në shumë prej tyre u shpërblye edhe me çmimin kryesor.

Historia e një mërgimtari kosovar u prezantua në filmin e titulluar “Toka Brenda Meje”.

Regjisori Fisnik Maxville, shfaq historinë personale të shpërnguljes nga Kosova në Zvicër dhe përballjen me mënyrën e të jetuarit atje.

“Memoria, historia, mënyra se si fëmijët duhet t’i përjetojnë pasojat e veprimeve të tyre të gjeneratave më herët dhe përmes filmit, kam dashur ta trajtoj pikërisht tematikën dhe të drejtoj pyetjen se si munden gjeneratat e reja të jetojnë në një vend, të cilin nuk e kanë zgjedhur. Këto tematika janë të lidhura me historinë time personale, që kam lind në Kosovë dhe që kemi ik në Zvicër, dhe po mundohem të gjej rrënjët në Kosovë, dhe të krijoj edhe diçka të re”, tha regjisori për Shqip.com.

“Toka brenda meje” shfaqi premierën në festivalin e filmit “Tallin Black Nights” në Estoni, njërin prej festivaleve më të mëdha të filmit në Evropën Veriore, gjithashtu ka fituar çmimin “Filmi më i mirë debutues”, në këtë festival.

/Shqip.com