Lajme

“Fillova se doja të isha ‘in’ edhe unë” – Përdoruesit e drogave në Kosovë po rriten, mosha mesatare po ulet

ilustrim

Ishte vetëm 17 vjeç kur filloi përdorimin e substancave narkotike.

Fillimisht kurioziteti për ta provuar dhe dëshira për të qenë “in” në mesin e shoqërisë. Pastaj, trupi i tij krijoi varësi.

Besmiri (emri i të cilit u ndryshua për të ruajtur anonimitetin), tani 32-vjeçar, tregon për Shqip.com se si një shok i lagjes e kishte bindur për t’i provuar substancat narkotike.

“Jam përdorues rreth 15 vite. Jam nxitur nga rrethi shoqëror pasi që të gjithë kishin filluar të përdornin substanca narkotike dhe mendoja që edhe unë duhet të bëhem ‘in’ sikur ata”.

“Shoku i lagjes ishte i pari që më propozoi, pasi e kishte provuar para meje dhe më tha qe ishte gjë e mirë e se do të më bënte të ndihem shumë mirë”, rrëfen Besmiri.

Mes tjerash, shton se në fillim nuk e ka pasur idenë se sa i dëmshëm është përdorimi i këtyre substancave dhe gjithashtu “si një adoleshent kam menduar se nuk do të më bënin asgjë”.

32-vjeçari, i cili aktualisht është duke u shëruar nga kjo varësi, thotë se për të marrë një vendim të tillë është mbështetur nga prindërit, pasi të njëjtit kishin vërejtur ndryshime të theksuara tek ai.

“Prindërit dhe familja ishin ata që më përkrahën për të marrë trajtim për varësi. Deri tek vendimi erdha pasi që përdorimi i substancave më kishte dalë jashtë kontrollit. Nuk kisha para të mjaftueshme për t’i plotësuar nevojat për substanca dhe si rrjedhojë kisha sjellje agresive. Familja kishin filluar të shohin ndryshimin te unë dhe kuptuan që jam përdorues i substancave narkotike prandaj dhe më propozuan për të marrë trajtim”.

Besmiri ka një porosi për narkomanët.

“Të ndalen nga përdorimi i substancave, të kërkojnë ndihmë për trajtim nga familja dhe nga institucionet përkatëse dhe të informojnë të tjerët sa më shumë për trajtim dhe parandalim”.

Por, ai është vetëm një nga mijëra persona që zgjodhi rrugën e cila “destinacion të vetëm ka errësirën”.

Numri i atyre që konsumojnë substanca narkotike në Kosovë është në rritje.

Kështu thotë Safet Blakaj nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”.

Safet Blakaj

Aktualisht janë rreth 2 mijë e 700 përdorues aktivë të drogave, të cilët janë të regjistruar në databazën e kësaj qendre.

“Ka një rritje në vitin 2021, kryesisht përdorues të kokainës”, thotë Blakaj për Shqip.com, duke shtuar se mosha mesatare e atyre që fillojnë për herë të parë konsumimin është 16.2 vjeç.

Mes tjerash, ai kritikon institucionet pasi sipas tij, nuk kanë bërë mjaftueshëm në hartimin e programe parandaluese për përdorimin e drogave.

“Në Kosovë ka disa qendra ku mbahet një lloj trajtimi për përdoruesit e drogave, por mungojnë programet parandaluese. Nëse pas 5 vitesh duam t’i shohim rezultatet, duhet një program i përgjithshëm”.

Sa i përket programeve aktuale, Blakaj thotë se janë “të parcializuara” dhe se nuk pritet të japin rezultat.

Se numri i konsumuesve të drogave është në rritje e sipër e thotë edhe Samire Gashi – Braina, shefe e Repartit të sëmundjeve të varësisë në Klinikën e Psikiatrisë.

Samire Gashi – Braina

Në një përgjigje me shkrim për Shqip.com, ajo thotë se faktorët janë të shumtë, por “shoqëria, kujdesi dhe mungesa e kontrollit nga familja, gjegjësisht prindërit në raport me fëmijët ndikon më së shumti në konsumim të substancave jo të ligjshme”.

Por, shton se edhe gjendjet e ndryshme emocionale, pamundësia për t’i zgjidhur problemet, divorci e shumë faktorë të tjerë ndikojnë në keqpërdorim të substancave në fjalë.

Vetëm gjatë vitit 2021, Gashi – Braina pohon se në Repartin e sëmundjeve të varësisë, trajtim kanë kërkuar gjithsejtë 112 pacientë. Ky numër, sipas saj, është më i lartë krahasuar me vitin paraprak.

“Kjo për shkak të situatës me pandeminë pasi që kemi qenë të detyruar të pranojmë vetëm rastet me urdhëresë të gjykatave për trajtim të detyruar në klinikën tonë dhe rastet që kanë shprehur dhunë nën ndikim të substancave qoftë në rrethin familjar apo jashtë tij”.

Sa i përket llojit të substancave thotë se marihuana është më e konsumuara, por “vitin që lamë pas numër i konsiderueshëm ka qenë i personave që kanë abuzuar me heroinën, kokainën dhe barnat sedative”.

Trajtimi për t’u shëruar nga kjo varësi, sipas Gashi – Brainës, është afatgjatë, kompleksiv dhe shumë i vështirë.

“Nuk përfundon vetëm me qëndrim dy javor në spital, por duhet të vazhdojë për një periudhë më të gjatë, përafërsisht një vit. Në shumicën e rasteve është i domosdoshëm rehabilitimi në qendra apo institucione të specializuara për trajtim të varësisë, që i orientojmë jashtë vendit pasi që fatkeqësisht në Kosovë nuk kemi qendra të tilla”./Shqip.com