Lajme

Fillon shpërndarja e dollapëve për fëmijët në shkollat e Prishtinës

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka nisur shpërndarjen e dollapëve për fëmijët në shkollat e Prishtinës.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Besianë Musmurati.

“Mëngjes tejet i lumtur sepse sot po fillojmë furnizimin me dollapë të fëmijëve për klasat e para deri në klasat e pesta. Në çdo takim me prindërit e fëmijëve të kësaj grupmoshe kam marrë ankesa për peshën e rëndë të çantave”, ka thënë fillimisht Musmurati.

Më tutje Musmurati ka bërë të ditur se sipas një hulumtimi të bërë nga një shkollë fillore e Prishtinës, nxënësi i klasës së parë, që ka peshë trupore rreth 23 kilogramë, e bart çantën mesatarisht 4 kilogramë e 170 gramë.

Dollapët e shpërndarë

Ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesha fizike që bartin fëmijët nuk duhet të jetë mbi 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve, pra 2.3 kilogramë.

Pasojat në shëndet prej çantave të rënda janë të mëdha, prandaj edhe kemi reaguar që të ruajmë shëndetin e fëmijëve. Kemi blerë dollapë metalik që i rezistojnë kohës dhe që janë tejet të përshtatshëm për fëmijë, ka thënë më tutje Musmurati.

 Po fillojmë me shkollat Hasan Prishtina, Ismail Qemaili dhe Naim Frashëri që të vazhdojmë në të gjitha shkollat e Prishtinës, ka shtuar në fund Musmurati.

/Shqip.com