Sport Ndërkombëtar

Fillojnë talljet për eliminimin dhe shiritin “OneLove” të Gjermanisë në Kupën e Botës

Ekspertët e futbollit në kanalin Alkass Sports të Katarit, janë tallur me ekipin gjerman të futbollit pas daljes nga Kupa e Botës – duke imituar protestën e lojtarëve për të drejtat e njeriut.

Një video në faqen e kanalit në Twitter të postuar të enjten tregon ish-futbollistin kuvajtian, Jamal Mubarak duke mbuluar gojën me dorën e majtë dhe duke përshëndetur lamtumirë me të djathtën, më pas duke i bërë thirrje ish-portierit dhe kolegut egjiptian Essam El-Hadary që t’i bashkohet.

Menjëherë pas kësaj, El-Hadary dhe ekspertë të tjerë mbulojnë gojën dhe përshëndesin me dorë – me sa duket në festimin e daljes së Gjermanisë.

Gjesti imiton atë që lojtarët gjermanë bënë për të protestuar kundër vendimit të FIFA-s për të ndaluar shiritin “OneLove” që shumë kapitenë evropianë kishin shpresuar ta mbanin në Katar në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBT.

Përpara ndeshjes së parë të Gjermanisë më 23 nëntor, formacioni fillestar i skuadrës pozoi me duart e djathta para gojës, një gjest për të kundërshtuar atë që ata e panë si një shtypje të fjalës së lirë.

Gjermania e humbi atë lojë ndaj Japonisë në një përmbysje tronditëse. Një fitore e mëpasshme kundër Kosta Rikës të enjten nuk i mjaftoi Gjermanisë për të dalë nga faza e grupeve dhe për të kaluar në 16-shen e fundit.

“Falë Zotit, sot të gjitha kombet arabe dhe myslimane po luten që Japonia të kualifikohet me ndonjë ekip, por gjëja më e rëndësishme është dalja e Gjermanisë”, tha Mubarak në kanalin Alkass Sports.

Segmenti u transmetua në emisionin al-Majlis të kanalit të organizuar nga prezantuesi i Katarit Khalid Jassem dhe me analistët arabë të futbollit, duke përfshirë Mubarak, El-Hadary dhe ish-lojtarin irakian, Younis Mahmoud.

Pas barazimit 1:1 të Gjermanisë kundër Spanjës të dielën e kaluar, Jassem tha në një episod të al-Majlis se ishte “i tronditur” nga protesta e Gjermanisë.

“Ju [Gjermania] duhet të respektoni zakonet, traditat, kulturën dhe fenë tonë në të njëjtën mënyrë si ne respektojmë zakonet, traditat dhe kulturën tuaj,” tha Jasem.

“Kur shkojmë në Gjermani apo vende të tjera, ne respektojmë rregullat dhe ligjet dhe respektojmë gjithçka që është e dashur për shoqërinë atje”.

Në një seri postimesh në Twitter javën e kaluar, Federata Gjermane e Futbollit i qëndroi pranë protestës, duke thënë, “Nuk ishte për të bërë një deklaratë politike – të drejtat e njeriut janë të panegociueshme. Kjo duhet të merret si e mirëqenë, por ende nuk është kështu. Kjo është arsyeja pse ky mesazh është kaq i rëndësishëm për ne. Të na mohosh shiritin është njësoj si të na mohosh një zë”.

Në përgatitjen e Kupës së Botës, vendi pritës Katari – ku homoseksualiteti është i paligjshëm dhe dënohet me deri në tre vjet burg – është kritikuar për qëndrimin e tij ndaj të drejtave të LGBT.

Megjithatë, vendi ka këmbëngulur se “të gjithë janë të mirëpritur” në turne, duke shtuar në një deklaratë për CNN këtë muaj se “rekordi ynë ka treguar se ne kemi mirëpritur ngrohtësisht të gjithë njerëzit, pavarësisht nga prejardhja”.

Siç shkruan CNN, vendimi i FIFA-s për të sanksionuar lojtarët për veshjen e shiritit “OneLove” ka shkaktuar megjithatë zemërim, me Shoqatën e Mbështetësit të Futbollit, organi përfaqësues për tifozët e futbollit në Angli dhe Uells, duke thënë se “ndihet i tradhtuar”.

“Që nga viti 2010 ne kemi ngritur pyetje në lidhje me përshtatshmërinë e Katarit si një mikpritës i Kupës së Botës,” thuhet në një deklaratë nga FSA.

/Shqip.com