Lajme

Filloi procesi për regjistrimin e mjeteve nga targat ilegale në ato RKS

Zëvendësimi i targave në Pikën Kufitare me Serbinë

Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve ka filluar procesi i regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në RKS.

Vetura e parë është regjistruar në Prizren.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme njofton se sot, që në orët e mëngjesit ka filluar procesi i regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në targa RKS. Qendrat kanë qenë të hapura në të gjitha komunat për qytetarët e interesuar për të marrë informacionet e nevojshme dhe në ditën e parë në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Prizren është bërë zëvendësimi i parë i targave në targa RKS”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:
Kosova nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat

Po ashtu është bërë e ditur se Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të jenë në dispozicion të qytetarëve çdo ditë për të ofruar informacionet dhe ofruar shërbimet për kthimin e targave në RKS.

“Me këtë rast, MPB inkurajon të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi, duke përfituar dhe nga lehtësirat që ofron ky proces si: Taksën doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targën, tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjeteve”, thuhet më tutje në njoftimin e MBP-së.

MPB përmes QRA-ve është duke ju përgjigjur në vazhdimësi kërkesave të qytetarëve për informacione shtesë dhe do të vazhdojë fushatën për informim dhe në javët në vazhdim, me qëllim të informimit të drejtë dhe inkurajimit për regjistrimin e mjeteve në targa RKS deri më 31 tetor 2022, thuhet më tutje në njoftim.

Lexo edhe:
Në veri sërish shfaqen afishe kundër riregjistrimit në RKS

Pronarëve të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Këtë vendim, Qeveria e Kosovës e kishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht.

Për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës vendimi i shty për një muaj me kërkesë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës./Shqip.com