FIFA jep “dritën jeshile” për Toni Domgjonin

Në kampin e Dardanëve sot ka arritur një lajm i gëzueshëm.
Toni Domgjonit i është dhënë leja nga FIFA për të përfaqësuar Kosovën qysh në ndeshjet e tetorit, shkruan Shqip.com.
“FIFA e ka njoftuar sot FFK-në se kërkesa e saj për ndërrimin e kombëtares për mesfushorin e klubit holandez, Vitesse, Toni Domgjoni është miratuar dhe ai ka të drejtë të luajë për ekipin kombëtar të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin që e ka publikuar FFK-ja në Facebook.
Domgjoni do të jetë një ndihmesë e madhe për skuadrën e udhëhequr nga Bernard Challandes, pasi pikërisht në mesfushë Përfaqësuesja e Kosovës ka pasur shumë probleme me lëndime në të kaluarën.
Toni është 22 vjeçar dhe kjo është hera e parë që grumbullohet me Kosovën. Në të kaluarën ai kishte luajtur për grupmoshat e Zvicrës.
Njoftimi i plotë nga FFK-ja:
7 tetor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm të mirë në prag të udhëtimit për në Suedi në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”. Në fakt, FIFA e ka njoftuar sot FFK-në se kërkesa e saj për ndërrimin e kombëtares për mesfushorin e klubit holandez, Vitesse, Toni Domgjoni është miratuar dhe ai ka të drejtë të luajë për ekipin kombëtar të Kosovës.
Vendimi i Dhomës së Tribunalit të Futbollit në FIFA për shqyrtimin e statusit të lojtarëve ka efekt të menjëhershëm. Kjo do të thotë se Toni Domgjoni, i cili iu bashkua Dardanëve në grumbullimin e këtij muaji, do të ketë të drejtë loje qysh nga ndeshja kundër Suedisë. Federata e Futbollit e Kosovës i gëzohet këtij vendimi dhe i dëshiron suksese Toni Domgjonit në fanellën dardane.