Sport Shqiptar

FFK: Kosova pësoi humbje të rëndë

Federata e Futbollit të Kosovës e ka konsideruar si të rëndë humbjen e mbrëmshme nga Bjellorusia.

“Dardanët” u turpëruan nga bjellorusët duke u mposhtur me rezultat 1:2 në ndeshjen e vlefshme për fazën kualifikuese të Euro 2024.

Bjellorusët i shënuan dy gola të shpejtë me Vladislav Morozov e Max Ebong në pjesën e dytë, ndërsa goli i Vedat Muriqit nga penalltia ishte i pamjaftueshëm për Verdhekaltrit.

E ndaj kësaj humbjeje të papranueshme ka reaguar edhe shtëpia e futbollit kosovar.

“Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje të rëndë në ndeshjen e katërt në kuadër të Grupit I për kualifikimet e Euro 2024 kundër Bjellorusisë në Budapest me rezultat 2:1”, shkruan në raportin e ndeshjes në uebfaqen zyrtare të FFK-së.

Trajneri Alain Giresse, por edhe futbollistët dhe vetë Federata, kanë marrë kritika të ashpra nga njohësit e futbollit dhe nga tifozët kosovarë, pasi Kombëtarja e preku fundin me tri barazime e një humbje në këtë kampanjë kualifikuese.

/Shqip.com