FFK dhe Kombëtarja japin 35 mijë euro për Fondin e Sigurisë

Të premten, Federata e Futbollit e Kosovës dhe Kombëtarja e Kosovës kanë kontribuar me 35 mijë euro në Fondin e Sigurisë.
Njoftimin e ka bërë me dije vetë FFK përmes një postimi në uebfaqen e saj.
Sipas njoftimit, 50 përqind e shumës së ndarë janë dhënë nga vetë FFK dhe KE, kurse 50 përqind nga mjetet vetanake të futbollistëve të Kombëtares.
“Ne si FFK konsiderojmë se kjo është vetëm një shifër simbolike, por mjaft domethënëse për forcimin e ushtrisës së vendit tonë dhe njëherësh është në interes të sigurisë dhe të ardhmes së qytetarëve tanë.
Falënderoj lojtarët e ekipit kombëtar për gatishmërinë e tyre për të përkrahur në vazhdimësi iniciativa të tilla dhe ky veprim i tyre le të shërbejë si motiv edhe për shumë të tjerë për ta mbështetur në të gjitha format forcimin e shtetit tonë”, ka thënë ndër tjerash presidenti Ademi.
Fondi i Sigurisë u themelua nga Qeveria e Kosovës më 3 mars të këtij viti dhe është i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë. /Shqip.com