Lajme

Fevziu-Kurtit: Ndërto muze për 1133 fëmijët e vrarë, mos i fsheh kujtimet në bodrume

Blendi Fevziu

Gazetari nga Shqipëria, Blendi Fefziu, pas një vizite në Kosovë, ia ka adresuar një shqetësim kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Fevziu, përmes një shkrimi të gjatë, i ka bërë apel Kurtit, që ekspozitën në bodrumin e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, me sende personale të 1 mijë e 133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ta kthejë në muze.

“Në udhëtimet e mia nëpër botë më ka qëlluar të shoh muzeume dhe ekspozita të ngjashme. Në Ruanda kam vizituar Muzeun e Genocidit. Në një pavion të tij flitet edhe për Kosovën; në Jeruzalem Vad Jashemin; në Berlin atë të Murit famëkeq dhe të viktimave të tij; në Adis Abeba muzeun e krimeve të Komunizmit; në Poloni Aushvitzin, Në Kamboxhia muzeun e masakrave të Khmerëve të Kuq. Të gjithë këta janë institucione tejet të rëndësishme në këtë vende, për të mos thënë me kryesorët. Janë dëshmi e historisë, por shpesh edhe të absurdit dhe egërsisë të këtyre vendeve vetë”.

Më tej, ai ka shtuar se Kosova nuk ka muze të gjenocidit dhe as një muze të krimeve të luftës.

Blendi Fevziu gjatë vizitës në ekspozitë

“Për fatin e keq, Kosova jo vetëm që nuk e ka një Muze të tillë, por edhe kjo ekspozitë e ngritur përkohësisht qëndron ende në një bodrum. Thuajse këta fëmijë, s’kanë më nevojë të shohin përmes sendeve të tyre të dikurshme dritën e diellit. Si të gjithë të rënët pafaj kudo në botë. Kosova se ka ende nje Muze të genocidit, as një Muze të krimeve të luftës; madje, spo guxon të shndrroje në Muze permanent as këtë ekspozitë të fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në vitet e luftës”, ka shkruar më tej, Fevziu.

“I nderuar zoti Kryeministër. Nxirrini kujtimet e atyre 1133 fëmijëve të rënë në luftë nga ai bodrum. Vendosini sendet e tyre të fundit aty ku ju takojnë. Në vendin më të dukshëm të shtetit tuaj të ri; në vendin prej nga nis historia e tyre. Histori që ka në thelb të saj sakrificën e tyre të paçmueshme”.

Blendi Fevziu gjatë vizitës në ekspozitë

Në fund, gazetari e ka ftuar kryeministrin Kurtin që ta vizitojë ekspozitën dhe të bashkëndjejë me prindërit e të rënëve.

“Vizitojeni edhe vetë atë ekspozitë zoti Kryeministër. Si një dëshmitar i asaj kohe dhe si qytetar, që sot jeton normalisht, në Republikën e Kosovës e ngritur edhe nga sakrifica e tyre. Si një prind, që mund ta kuptojë dhimbjen e atyre prindërve që fëmijët e tyre si puthën e si përkedhelën më kurrë. E madje që sot, s’mund t’ju shohin as tiparet në një fotografi. Dhe që ende 22 vjet pas luftës, askush s’ka kurajon t’i vendosë në Muzen që meritojnë”, përfundon Fevziun./Shqip.com