Kulturë

“Festivali i Pranverës”, transformon Prishtinën ditëve të vikendit

Më 21 dhe 22 maj, Prishtina do jetë qendër e muzikës, e artit si dhe mjedisit të pastër, përmes “Festivalit të Pranverës”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri të ditur se ky festival do të mbahet në pjesën qendrore të qytetit.

“Pjesa qendrore e qytetit pranë katedrales “Nëna Terezë” – Rruga “Xhorxh Bush”, do të shndërrohet në një hapësirë të dedikuar për gjithë komunitetin për dy ditë me radhë këtë fundjavë, më 21 dhe 22 maj ,ku përmes rekreacionit, muzikës e artit do të demonstrohet prezenca në pjesën kryesore të qytetit dhe mundësia për shfrytëzim më të madh të hapësirave të përbashkëta”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.

“Festivali i Pranverës”, sipas Ramës, është një demonstrim i drejtpërdrejtë se si qyteti mund të bëjë një hap të guximshëm për të krijuar një kulturë transporti urban të menduar përmes ekomobilitetit.

Tutje, kryetari ka ftuar të gjithë qytetarët t’i bashkohen iniciativës për transformimin e Kryeqytetit të marrin biçikletat, trotinetët apo edhe të ecin në këmbë.