Lajme

Festat zyrtare / Sa pushojnë punëtorët në Kosovë?

Sipas Ligjit për festat zyrtare, të punësuarit në Kosovë, gjatë vitit 2024, do të pushojnë në 12 prej ditëve të punës shkaku i festave zyrtare. Ata pushojnë më 1, 2 dhe 8 janar, 19 shkurt, 1 dhe 9 dhe dhjetë prill, 1, 6 dhe 9 maj, 17 qershor dhe 25 dhjetor.

Në vitet paraprake, me vendim të Qeverisë, nuk është punuar as më 28 nëntor, edhe pse kjo datë që shënon Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk hyn në listën e festave zyrtare. Në shumë kompani private punohet edhe në ditët e festave zyrtare.

Edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor pushohet thuajse njëjtë. Në Maqedoni të Veriut, janë 11 ditë pushim, në Serbi 12, në Shqipëri 15, në Mal të Zi 17 ditë, derisa në Bosnje e Hercegovinë janë dy ditë, por përvec dy festave të përbashkëta, njësitë administrative shpallin ditët e pushimit në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, në botë, më së shumti ditë pushimi ka në Nepal, apo 35 ditë. Pas Nepalit renditet Indonezia me 28 ditë dhe India me 26.

Në Itali janë 12 ditë pushim, në Francë 11 ditë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 10 ditë, në Gjermani 9 ditë, derisa në Angli 8 ditë.

Në shumë vende të botës dhe të Ballkanit Perëndimor – por jo edhe në Kosovë – në ditët e festave fetare pushojnë vetëm besimtarët e atij religjioni. Praktika e zëvendësimit të ditëve të pushimit kur ato bien në fundjavë, si në Kosovë, zbatohet edhe në shumë vende të tjera në botë. Në Nepal, Ligji i Punës përcakton gjashtë ditë pune në javë. /REL

/Shqip.com