Lajme

Festat e fundvitit, rrisin fluksin e hyrje daljeve në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë

Pika kufitare në Morinë

Mbërritja e festave të fundvitit sjell edhe shtimin e emigrantëve që punojnë e jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

Pikat kufitare në vend këto ditë vijojnë të ndeshen me flukse të lartë të lëvizjes.

Në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, atë të Morinit, lëvizja më e lartë shënohet në dalje të tij.

Qindra emigrant të Kosovës kanë zgjedhur Shqipërinë si vend tranzit për të shkuar në vendlindje dhe procedurat kufitare janë thjeshtuar falë marrëveshjes mes dy shteteve për lëvizjen e lirë në përballimin e fluksit e shmangien e radhëve të gjata në kufi.

Në Morinë janë tetë sportele në punë që përpunojnë të dhënat e emigrantëve dhe qytetarëve në hyrje e dalje, ndërsa edhe katër sportele të tjera janë në dispozicion në rast nevoje.

Gjatë 24-orëshit të fundit tabela e hyrje daljeve tregon qartë numrin e lartë të daljeve nga Shqipëria në Kosovë.

Dalje të shtetasve shqiptarë: 3180 qytetarë me 1180 automjete.

Dalje të shtetasve të huaj: 18944 qytetarë me 5819 automjete

Ndërsa numri i hyrjeve është më i ulët:

Hyrje të shtetasve shqiptarë: 4230 qytetarë me 1501 automjete.

Hyrje të shtetasve të huaj: 7198 qytetarë me 2986 automjete.

Sipas të dhënave të viteve të kaluara, java e fundit e vitit, shënon edhe pikun më të lartë të lëvizjes, ku vitet e tjera numri i hyrjeve ditore në Morinë, kanë kapur shifrën e 40 mijë qytetarë.

/Shqip.com