Sport Ndërkombëtar

Ferizaj ka marrë vendimin për trajnerin Panadic

Andrej Panadic nuk do të jetë trajner i Ferizajt për sezonin e ardhshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Ferizajt përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

Largimi i tij vjen pasi Ferizaj nuk arriti të siguronte qëndrimin në Superligën e Kosovës, pasi u mposht nga Liria në ndeshjen e barazhit pas ekzekutimit të penalltive.

Njoftimi i plotë:

Në vend të lamtumirës, Faleminderit Andrej Panadic

FC Ferizaj njofton se ka ndarë rrugët me trajnerin kroat, Andrej Panadic dhe zëvendësin e tij, Nikola Boroe.

Panadic ishte në krye të shtabit teknik tash e 7 muaj, ku në sezonin pranveror nën drejtimin e tij, skuadra arriti të mbledhë 28 pikë.

Andrej ishte fjalë pak e punë shumë. Një mentalitet i futbollit kroat, bazuar në kërkesën kryesore të tij, përgjegjësi nga secili lojtarë në fushën e lojës.

E mori ekipin në një gjendje të vështirë, kur pak kush mund të besonte se do ta kapnim barazhin. Pavarësisht që misioni nuk përfundoi me sukses, Andrej Panadic do mbetet pjesë e rëndësishme e historikut të klubit tonë.

FC Ferizaj e falenderon trajnerin Panadic, për angazhimin dhe grintën e treguar, duke i dëshiruar shumë shëndet e suksese në rrugëtimin profesional.

Padyshim se marrëdhëniet mes klubit dhe tani ish-trajnerit Panadiç janë të shkëlqyera dhe ku i dihet së ardhmës, ndoshta rrugët do të na bashkohen në ditë më të mira.

/Shqip.com