Lajme

Fejzullahu: Në rast të mos respektimit të marrëveshjes, Elektroserverit mund t’i merret licenca

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu thotë se në rast të mos respektimit të marrëveshjes, Elektroserverit mund edhe ti merret licenca.

Në një prononcim për Shqip.com, Fejzullahu ka thënë se kjo do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Bordit të ZRRE-së.

“Jemi duke e planifikuar që shumë shpejt me e mbajt mbledhjen e ardhshme, jemi në fazën konsultuese është afati 15 ditë për konsultime, sa i përket afatit shtesë duhet të vendos bordi” ka thënë fillimisht Fejzullahu.

Fejzullahu ka thënë se në pikën 8 përmendet si mundësi edhe marrja e licencës.

“Pika 8 është njëra prej çështje që pritet të diskutohet nga ana e bordit” ka thënë Fejzullahu.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së thotë po ashtu se për këtë çështje do të ketë diskutime edhe me eletroserverin, Bashkimin Evropian si palë ndërmjetësuese dhe palët tjera.

“Pas mbylljes së konsultimeve me të gjitha palët e interesit, bordi i ZRRE-së do të marrë vendimin përfundimtar” thotë Fejzullahu.

Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e këtij viti – për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

Me Marrëveshjen për Energjinë, është paraparë që kompania Elektrosever të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.

ZRRE i ka miratuar licencën Elekstrosever-it më 24 qershor, apo para 82 ditësh.

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur në Komisionin për Integrime Evropiane se janë ankuar ne Bashkimin Evropian për dështimin e marrëveshjes për Elektroserverin.

“Për Elektroseveri i kemi dërguar Bashkimit Evropian letër që nuk e ka përmbushur afatin prej 100 ditësh, tash është edhe ajo koha shtesë dhe do të presim a do t’i hiqet licenca kësaj kompanie”.

Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor.

/Shqip.com