Fejzi Kiqina zbulon arsyen kryesore pse hyri në garë për Komunën e Drenasit
Këshili i Lëvizjes Vetëvendosje qendra Drenas ka zgjedhur me vendim unanim, Fejzi Kiqinën, si kandidat për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet komunale të 17 tetorit.
Kiqina, nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook ka thënë se së bashku me qytetarët e Drenasit kanë kaluar shumë sfida.
“Në këtë rrugëtim, pa përkrahjen tuaj nuk do t’ia kisha dalur mbanë. Andaj, nga thellësia e zemrës ju falënderoj për mbështetjen e parezervë”, shkroi ai.
Tutje anëtari i VV-së ka thënë se mbështetja e qytetarëve ishte mesazh i qartë për të marrur përgjegjësi politike.
Kiqina është shprehur qartazi se do t’i përgjigjet thirrjeve të qytetarëve për përgjegjësi më të madhe politike. “Duke ndier obligim moral e politik; duke e parë situaten kaotike në të cilën jemi katandisur ne si komunë; duke dashur që Drenasit t’ia rikthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur, dua të ju njoftoj se i jam futur garës për kryetar komune, si i nominuar nga Lëvizja Vetëvendosje!.
Zgjedhjet komunale do të mbahen më 17 tetor, derisa partitë politike kanë kohë deri në ora 16:00 për të zyrtarizuar të gjithë kandidatët nëpër komuna të Kosovës./SHQIP.com