Sport Shqiptar

FC Prishtina e fiton ndeshjen miqësore ndaj ekipit nga Greqia, Larissa

FC Prishtina e ka fituar ndeshjen miqësore ndaj ekipit nga Liga e Dytë e Greqisë, A. Larissa me rezultat 2:0, shkruan Shqip.com.

Golat për ekipin nga kryeqendra e Kosovës u realizuan nga Mendurim Hoti (9′) dhe Albin Prapashtica (19′).

Kjo ndeshje u zhvillua të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Prishtinës së drejtuar nga trajneri Ismet Munishi i shërbeu ky takim për ta ruajtur formën para ndeshjes së fundit me Ballkanin në Albi Mall Superligë, e cila zhvillohet më 11 dhjetor në Suharekë.

Kjo sfidë i takon xhiros së 14-të, por është shtyrë për shkak të angazhimeve të Ballkanit në Ligën e Konferencës.

/Shqip.com