FC Llapi pëson humbje në ndeshjen miqësore me ekipin nga Kazakistani
Publikuar:
(23.01.2023 17:15:58)
FC Llapi ka humbur në ndeshjen miqësore nga ekipi i Kazakistanit, Qyzyljar Petropavlovsk me rezultat 1:2, raporton Shqip.com.
Ndeshja u zhvillua në Antalia të Turqisë atje ku skuadra nga Podujeva e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina po e kryen fazën përgatitore.
Golashënues për Llapin ishte Drilon Fazliu nga penalltia në minutën e 18-të.
Për Llapin, kjo është miqësorja e dytë e luajtur në Antalia, ku po përgatitet për stinorin pranveror të Superligës së Kosovës.
Në miqësoren e parë, Llapi barazoi 1:1 ndaj ekipit Tiszakecskei.
Llapi të dielën humbi edhe në finale të Superkupës së Kosovës nga FC Ballkani me shifrat 1:0.
Edhe kjo ndeshje u zhvillua në Antalia.
/Shqip.com