Sport Shqiptar

FC Liqeni – e synon titullin e kampionit në futsall

Synim i tyre është titulli.

Për këtë po përgatiten maksimalisht.

Skuadra nga Drenasi, FC Liqeni po tenton ta përsërisë suksesin e sezonit të kaluar.

Teksa, për të arritur këtë qëllim – në radhët e veta, kanë transferuar Azem Brahmin, i cili për dhjetë vite luajti në elitën e futsallit në Çeki – ku shënoi mbi 150 gola dhe fitoi kupën dhe titullin në vitin 2019.

Azemi – për Shqip.com, tregon se përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe se synim ka që të dalë kampion i Kosovës.

“Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë. Ekipi është i kompletuar, i kemi pritë edhe tre kolumbianët – tash kanë ardhur – para tri ditëve.
Jemi duke u përgatitë maksimalisht – i kemi pasur dy lojë dhe i kemi kryer me sukses, tash ta shohim çka po bahet në vazhdim. Synimet janë me u shpall kampionë prapë, me e fitu kupën e Ligës dhe me shku në Evropë – sa ma lartë”.

33 vjeçari – që së fundmi ishte kapiten i Spartës – shpjegon arsyet pse e zgjodhi pikërisht Liqenin – në mesin e shumë ofertave dhe thotë se nuk ka shumë dallime me futsallit në Çeki dhe Kosovë.

“Po, është bo bujë ndoshta – sepse jam rikthyer pas dhjetë viteve të kaluara në Çeki. FC Liqenin e kam zgjedhur për shkak se e kam vendlindjen këtu dhe e kam vllazninë dhe krejt shoqërinë.
Dallimet nuk janë aq të mëdha, më herët ka qenë dallimi ma i madh, por tash që kemi marrë lojtar të huaj nuk është se është ndonjë dallim i madh – sepse edhe këtu po luhet futsalli i mirë, po bëhen lojë të forta dhe po ka shikueshmëri shumë”.

I kënaqur me formën dhe përgatitjen e skuadrës është edhe trajneri Shpend Ibrahmi.

“Jemi të kënaqur maksimalisht. Qysh prej vitit të kaluar i kemi pas kolumbianët, kemi pas sukses me ta dhe kemi vazhduar. Tash – e kemi marrë edhe Azemin – prej Spartës që është duke na ndihmuar tejet shumë dhe Jakup Ramadanin prej Shkupit. Me ta i kemi përmbyllë transferet”.

Ibrahmi shton se përvoja e Azemit do jetë ndihmë e madhe në “luftën” për titull.

“Secili këtu e ka respektin e tij, duke e ditë përvojën e tij, janë duke mësuar shumë prej tij dhe përvoja e tij na bën neve edhe më të fortë. Qëllimi i jonë është ta përsërisim suksesin e vitit të kaluar, ta fitojmë kupën dhe të dalim kampionë”.

FC Liqeni aktualisht gjendet në vendin e dytë në tabelë – me pikë të barabarta me Liburnin që është lider.