Sport Shqiptar

FBK del me kumtesë për ndeshjen Sigal Prishtina – Trepça

Seria e ndeshjeve gjysmëfinale të play-offit ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës do të vazhdojë këtë fundjavë. Në fakt, termini i ndeshjes ka ndryshuar për shkak të aktiviteteve që në palestrën e sportit në kryeqytet i ka Federata e Hendbollit e Kosovës dhe për këtë arsye, Federata e Basketbollit e Kosovës ka dalë me një komunikatë:

Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) sqaron për të gjitha palët që termini i ndeshjes, sipas Propozicioneve të Garave të FBK-së duhet të bëhet i ditur 72 orë para fillimit të ndeshjes. Duke u bazuar në këtë parim, kemi shqyrtuar kërkesën e KB Sigal Prishtina për shtyrje të ndeshjes. Kujtojmë që KB Sigal Prishtina fillimisht ka kërkuar që ndeshja të shtyhet nga termini i paraparë të enjten, në të premten më 28 prill. Sot (e martë, 25 prill) ndërkohë e ka dhënë edhe një datë alternative, për të mërkurën, 26 prill.

Rrjedhimisht, cilido caktim i terminit për datën 26 prill, nuk është as i shqyrtueshëm, meqë afatet e këtilla nuk parashihen në Propozicione të Garave.

Duke u nisur nga situata  e krijuar dhe faktet ne vijim:

Kërkesa e KB Sigal Prishtinës që ndeshja të shtyhet

Kërkesa e klubeve që ndeshjet e play-offit të zhvillohen me gjyqtarë të huaj

Mirëkuptimi që ka FBK për ndeshjet ndërkombëtare të FHK-së

Mungesa e gatishmërisë së KB Trepçës që të zhvillojë ndeshje jashtë termineve të parapara me PG

Mungesa e gatishmërisë se klubeve që të pajtohen për termin të ndeshjes e shtyrë

Gatishmëria e FBK-së që të mund të sigurojë gjyqtarë të huaj të dielën, me 30 prill

Komisioni i Garave i FBK-së vendos që ndeshja e pestë gjysmëfinale në serinë KB Sigal Prishtina vs KB Trepça të zhvillohet të dielën, me 30 prill.

/Shqip.com