Kulturë

Fatos Kongoli, shkrimtari i njohur shqiptar, kremton 80-vjetori e lindjes

Fatos Kongoli / Shkrimtar
Fatos Kongoli / Shkrimtar

Shkrimtari i njohur i letrave shqipe dhe anëtari i Akademisë së Shkencave, Fatos Kongoli ka festuar 80-vjetorin e lindjes mes miqve, te afërmve dhe lexuesve në Akademinë e Shkencave.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi i rezervoi një pritje të veçantë, në prani të akademikëve Vasil Tole, Neritan Ceka, Shaban Sinani, Floresha Dado, Mimoza Hafizi, Dhimitër Haxhimihali, Gëzim Hoxha, botuesve të Toena-s Irena dhe Fatmir Toci.

Gjatë këtij aktiviteti përshëndetën prof. Shaban Sinani, botuesja Irena Toçi, drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli si dhe nga shkrimtarët Namik Dokle, Xhevahir Spahiu, Besnik Mustafaj e Behar Gjoka.

Kongoli është cilësuar nga kritika si shkrimtar i tranzicionit, pasi gjithë veprën ia dedikon Shqipërisë në mbi 3 dekada demokraci.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave foli sekretari shkencor akad. Shaban Sinani.

Në fjalën e tij, Shabani theksoi:

“Fatos Kongoli është një personalitet i veçantë, sepse me emrin e të cilit lidhet fort një periudhë letrare-kulturore, periudha e shkrimtarit në liri; e shkrimtarit që e ka që bën qartazi dhe cilësisht dallimin jo vetëm me një kohë që shkoi, por dhe me “vetveten e dikurshme”.

Shkrimtarët që erdhën nga shoqëria e kontrollit ideologjik, kulturor e fetar, një brezni e tërë, të cilën Robert Elsie e quante “gjenerata post-Kadare”; entuziastë si qytetarë për ndryshimet që ndodhën në kapërcyell të dy kohëve, nuk e patën aq të lehtë të përshtateshin edhe në letërsi me rënien e kanoneve. Fatos Kongoli e Zija Çela, Koço Kosta e Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo e Skënder Rusi, qenë nga të paktët “sfidantë të lirisë”, duke mos hequr dorë, në të kundërtën, duke e vazhduar – me ndonjë përthyerje, por natyrshëm – me një vendosmëri heroike, pasionin e parë, letërsinë, përkundër shumë të tjerëve që heshtën ose u detyruan të ndërronin regjistër shprehjeje.

Brenda këtij grupimi, Fatos Kongoli ka meritën që u nda “me një të qeshur të hidhur” nga e kaluara dhe ndoqi një rrugë tjetër: jo duke e bërë së jashtmi gjyqin e së shkuarës, por duke shkruar letërsi rreptësisht vetëqortuese, autoironike, që merrte shkas nga bota brenda njeriut, brenda autorit; nga depërtimi prapavajtës në imtësitë e jetës së vet si subjekt, sidomos në veset e ligësitë, duke e ftuar lexuesin të shkëputet prej saj përmes pështirosjes, neveritjes.

Vetëzbulimi kritik e i pamëshirshëm, si shprehje e një shkalle shumë të lartë mendësie emancipuese, është një nga arsyet pse letërsia e Fatos Kongolit, me rreth 20 romane e vëllime me tregime, është përkthyer, botuar e ribotuar në disa gjuhë të Botës: në Francë e Itali; në Zvicër, Greqi e Gjermani; në Britani të Madhe e Spanjë; në Serbi, Slloveni e Sllovaki; në Japoni e Kinë; madje dhe në “shpikjen gjuhësore të dr. Esperanto-s”.

Kjo përmasë e tij na jep kënaqësi të pohojmë se në radhët e shkrimtarëve-akademikë prej kohësh kemi tashmë edhe një tjetër autor të ndërkombëtarizuar, Fatos Kongolin – krahas me Ismail Kadarenë, që “e shkeli kufirin” me kohë, prej së hershmi, si një “i arratisur me mend”; krahas me Luan Starovën, që pushon me vend të sigurt midis tri letërsive dhe lexuesve të dy kontinenteve.

Vepra e Fatos Kongolit tërhoqi vëmendjen dhe emocionet e lexuesit shqiptar dhe atij të huaj për paraqitjen traumatizuese të jetës së njeriut shqiptar në dy periudha: gjatë diktaturës dhe në tranzicion. Përballja e individit me absurdin e jetës, dramat e brendshme të tij; depërtimi në psikikën e njeriut me mendim e ndjenja të ndrydhura; krijimi i antiheronjve jo për kundërvënie kanonike ndaj kultit të mëparshëm të heroit, por si mundësi për të zbritur në të panjohurat tronditëse të qenies njerëzore, përbëjnë risi themelore krijuese të veprës së tij.

Pikërisht për këtë vetëshquarje origjinale, dy vjet më parë, kur Komiteti i Nobelit iu drejtua Akademisë së Shkencave me kërkesën për të bërë jo një, si zakonisht, por katër propozime – një procedurë e re e zbatuar me të gjitha akademitë e ftuara për bashkëpunim atë vit – pra, kur erdhi kjo ftesë e veçantë për të rekomanduar disa kandidatura të denja për konkurrim për çmimin më të rëndësishëm në letërsi në shkallë botërore, ASHSH argumentoi dhe përcolli si një nga zgjedhjet e saj në Akademinë Mbretërore të Suedisë kandidaturën e shkrimtarit-akademik Fatos Kongoli.

Në përputhje me protokollin e letërkëmbimit për nominimet që zbaton Komiteti i Nobelit, që duhet thënë se është shumë i rreptë dhe i kodifikuar, duhej ruajtur konfidencialiteti deri në përmbyllje të konkursit të atij viti. Për këtë shkak – duke qenë pak të padrejtë me mikun dhe kolegun tonë Fatos Kongoli – për këtë arsye burokratike pra, ky vlerësim i lartë institucional nuk i është bërë i ditur deri sot atij (dhe as publikut). Por sot, që ka kaluar koha e ruajtjes së confidences, mund ta pohojmë e ta parafrazojmë.

Në politikën e Akademisë së Shkencave është zgjedhje parimore që, kurdoherë që drejtohen ftesa për të promovuar ndërkombëtarisht figura të shkencës dhe kulturës kombëtare, vlerësohen e propozohen si kandidatë personalitetet më të shquar në fushat e dijes dhe krijimtarisë, pa lënë vetë boshllëk. Propozime të ASHSH janë adresuar për çmimin “Feltrinelli”; për çmimin “Madame de Stael”; për vlerësuesit e kërkimit shkencor të “European Research Area” (ERA). Shumë herë propozimet janë mirëpritur prej jurive e komisioneve ndërkombëtare (dy anëtarë të Akademisë janë sot të zgjedhur si vlerësues projektesh ndërkombëtare të ERA-s); natyrisht jo gjithnjë duke fituar, por më së pari duke u promovuar. Kandidaturat, fituese a jofituese, studiohen e vlerësohen prej jurive e bordeve; njohja e tyre në mjediset shkencore e krijuese zgjerohet. Kështu është vepruar edhe në rastin e ftesës së komitetit të Nobelit. Krahas Kadaresë, që propozohet çdo vit jo vetëm nga ASHSH, por edhe nga akademi të tjera, atë vit u regjistruan edhe kandidaturat e Fatos Kongolit, Luan Starovës e të arbëreshit Carmine Abate, aktualisht fenomen i letërsisë italiane.

Në argumentin për kandidaturën e Fatos Kongolit ndër të tjera thuhet: Boshti i gjithë krijimtarisë së këtij autori është kriza ekzistenciale e njeriut si qenie individuale e kolektive. Paradokset njerëzore; ironia e idhët ndaj realiteteve të kaluara dhe situatave absurde; synimi për ta shkundur njeriun në tronditjen e krizës së identitetit; ndonëse aspak të lara me optimizëm, nuk e bëjnë të ashpër letërsinë e tij; përkundrazi, duke depërtuar në fshehtësitë e shpirtit njerëzor, shpërfaqen humanizmi dhe dashuria njerëzore, që, sipas autorit, janë shpëtimi i njeriut në çdo kohë. Skutat dyfish të errëta të mendjes njerëzore, për shkak të komplekseve e psikozave të përgjithshme dhe të dobësive vetjake, që gjenden në romanet e tij, kanë bërë që shtypi francez t’i cilësojë ato si një ndërthurje e teknikave të të shkruarit të Dostojevskit dhe Beckett-it. Romanet e Kongolit janë shpresë e nxitje e perspektivës së prozës moderne shqiptare. Ndryshe prej një tradite të mbrapshtë refuzuese ballkanike ndaj fqinjit, duke përfshirë “kufirin gjuhësor”, ai është pritur shumë shpejt si një mik i denjë edhe në letërsitë e rajonit, përveç sa u përmend, edhe në Bullgari, Rumani, Turqi dhe Greqi.

Presidenti i mëparshëm i Francës Nikolas Sarkozy, duke i dorëzuar Fatosit Kongolit “Urdhrin e Kalorësit të Legjionit të Nderit”, qe shprehur: “Vendi im njeh në të gjitha kuptimet e fjalës madhështinë e veprës suaj, sepse të bësh letërsi nga një akt vuajtjeje dhe vetmie është tejet e vështirë”.

Akademia e Shkencave është propozuese si institucion e Kongolit për vlerësimin më të lartë në letërsi, por jo e vetmja, sepse në po atë rast, presidenti Sarkozy është shprehur:

“Për shumë vlera të përmbajtjes, por edhe të eksperimentimit romanor, ju sugjeroj, të nderuar zotërinj të Komitetit të Nobelit, ta merrni në konsideratë të posaçme letërsinë e shkrimtarit shqiptar Fatos Kongoli”.

/Shqip.com