Sport Shqiptar

Faruk Statovci: Katër ekipe do “luftojnë” për kreun e tabelës në Superligë

Garë e fortë në Superligën e Kosovës

Sipas analistit Faruk Statovci, Superliga e Kosovës në futboll këtë sezonë pritet të jetë tejet interesante.

Për Shqip.com, ai ka thënë se ky sezon do sjellë “luftë” si për titull ashtu edhe për “mbijetësë”.

“Në këtë fillim, skuadra si Drita, Gjilani dhe Prishtina nuk kanë treguar performancat që ne i kemi pritë prej tyre. Ndoshta, tek Drita dhe Prishtina ka ndikuar edhe lodhja nga garat evropiane. Ky kampionat do të jetë tejet interesant për shkak se duhet të pritur gjatë se cilat janë katër ekipet që do lufojnë për kreun e tabelës, ndërsa edhe për mbijetesë do jetë luftë e fortë”, tha fillimisht ai.

Ish-mesfushori i Vushtrrisë, shtoi se nga skuadrat që janë ngritur këtë sezon në Superligë e sheh Dukagjinin si një “arrë të fortë” pasi sipas tij, kanë transferuar futbollistë cilësorë dhe nuk do e kenë problem qëndrimin në Superligë.

“Një befasi e ëmbël mund të jetë edhe Malisheva, pasi po zhvillojnë lojëra të mira”, përfundoi Statovci.

Ndërsa, ish-mesfushori i Drenicës dhe tashmë analisti, Taulant Dajaku ka thënë se do të jetë një kampionat ku do ketë “luftë” ndërmjet ekipeve që kanë bërë investime të mëdha gjatë merkatos verore.

“Mendoj se do te jete nje kampionat i luftuar ne mes ekipesh që kanë bërë investime të mëdha dhe këtë herë, lufta do të jetë në mes Prishtines, Dritës, Gjilanit dhe Ballkanit, kurse rastësisht mund të ndodhë që edhe Lllapi të jetë në pjesën e lartë të tabelës”, u shpreh Dajaku për redaksinë.

Ai, po ashtu shtoi se ndërpreja e kampionatit për shkak të ndeshjeve me kombëtare mund të shërbejë shumë për disa skuadra si Prishtina që nuk e ka nisur mirë kampionatin.

“Në këto dy ndeshje e kemi kuptuar që diferenca ndërmjet ekipeve nuk është e madhe andaj kjo është një garanci për spektakël” tha për fund Dajaku.

Ky sezon do të jetë i veqantë pasi për shkak të paraqitjeve të mira të Dritës dhe Prishtinës në ndeshjet e evropiane, për herë të parë Kosova do të ketë katër ekipe që mund të sigurojnë “biletën” për dalje në Evropë. /Shqip.com

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Gjendja momentale në tabelën klasifikuese në Superligën e Kosovës