Lajme

Farizi: Kosova ka kapacitetet e mjaftueshme për prodhimin miellit    

Muhamet Farizi, nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës
Muhamet Farizi, nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës

Muhamet Farizi, nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, thotë se Kosova ka kapacitet të prodhojë miell për 7 milionë e gjysmë banorë.

Sipas tij, 53 mullinj sa punojnë në Kosovë kanë kapacitet të prodhojnë miell për 7 milionë e gjysmë banorë, kurse nëse punojnë 99 mullinj sa janë gjithsej në Kosovë, do të prodhohej miell për 12 milionë e gjysmë banorë.

Po ashtu, Farizi thotë se ka vështirësi për shitje të miellit.

“Vështirësitë janë ku me e shite miellin, 99 mulli janë për 12 milionë e gjysmë banore, 99 mulli krejt që i ka Kosova, 53 punojnë këto janë për 7 milionë e gjysmë banorë”, është shprehur Farizi, raporton Dukagjini.

Gjithashtu, Farizi ka folur edhe për situatën në ditët e sotme në lidhje me grurin. Ai thotë që ka gjëra negative dhe pozitive në këtë aspekt.

“Pozitive për këtë vit është që janë rritë subvencionet, e cila e ka stimuluar që një sipërfaqe në krahasim me vitin e kaluar të jetë e mbjellur për 6 %, e mbjellur me e madhe. Negative kanë qenë shirat e tepërta, por pozitive ishte edhe ajo që kishte lagështi të mjaftueshme”, ka thënë Farizi.

Ai tregon se në Kinë një vit pas fillimit të pandemisë, statistikat që janë publikuar nga SHBA-t, tregojnë se Kina ka konsumuar 24 tonë grurë më shumë sesa në vitin paraprak. Ai thotë se pas publikimit të këtyre statistikave, Rusia menjëherë ka caktuar tatim në eksport të grurit.

“Në momentin që janë publikuar këto shënime, që i publikojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, automatikisht të nesërmen Rusia ka caktuar tatim në eksport të grurit”, u shpreh Farizi.

Farizi për situatën e grurit këtë vit, thotë se sasia pritet të jetë me e madhe se sa vitin e kaluar, por cilësia më e dobët. Për cilësinë e dobët Farizi thotë se shirat e tepërta dhe pastaj menjëherë temperaturat e mëdha kanë ndodhur në kohën kur kokrra e qumështit ka qenë në formim dhe aty ka ndikuar deri në rrudhjen e saj.

/Shqip.com