Lajme

Fajon: Kosova dhe Serbia t’i fillojnë negociatat mbi propozimin e BE-së

Kryediplomatja Sllovene, Tanja Fajon ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë negociatat mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes njëra-tjetrës.

Në një konferencë të përbashkët në me ministren e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën, Fajon tha se edhe në pjesën veriore nuk duhet të merren veprime që të bëhet eskalim i situatës.

“Për pjesën veriore të Kosovës, unë gjithmonë kam thënë se Kosova duhet të përpiqet për normalizimin e marrëdhënieve dhe nuk duhet të bëhet eskalimi i gjendjes atje e me këtë duhet të fillojnë negociatat dhe të flasin lidhur me propozimin e BE-së qe e kanë në tavolinë lidhur me normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Fajon.

Krahas kësaj, Fajon shprehet e shqetësuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

“Jemi të gjithë të shqetësuar për rreziqet që po kanosen në Ballkan dhe kemi nevojë për një Ballkan Perëndimor të fortë dhe një Kosovë të fortë”.

Megjithatë, Fajon është shprehur se Sllovenia është e gatshme që të investoj në Kosovë.

“Me ministren Gërvalla, kemi folur për bashkëpunimin e dyanshëm në mes dy shteteve. Investimet janë shumë të mira në Slloveni, trendi është shumë pozitiv. Sllovenia ka interes që të investoj dhe bashkëpunojë me Kosovën në fushën e burimeve energjetike, për administrimin e ujërave, administrimin e mbeturinave”.

Tutje, Fajon tha se Sllovenia do t’i ofroj mbështetje Kosovës për integrimin në organizatat ndërkombëtare.

Vlen të theksohet se gazetarët i kanë përmendur asaj edhe rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, gjë për të cilën ajo ka refuzuar të përgjigjët.

Ndërsa Gërvalla ka thënë  se sot ka folur me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i cili sipas saj është shprehur i gatshëm që të iu përgjigjët të gjitha pyetjeve të gazetarëve që kanë të bëjnë me rastin e tij.

“Sot në mëngjes kam folur me ambasadorin Berishaj dhe ai ka treguar gatishmërinë që të mbajmë një konferencë të përbashkët për shtyp dhe aty të ketë mundësi të iu përgjigjet të gjitha pyetjeve tuaja si gazetar të cilat janë legjitime, por nuk është legjitime që të vazhdohet në fushatë e cila nuk është e bazuar në argumente dhe fakte”, tha Gërvalla.

Gërvalla tregon se çfarë ka biseduar sot me Martin Berishajn – SHQIP.com

Sipas Gërvallës, ajo nuk ka ndonjë informacion zyrtar lidhur me ato që janë duke u thënë për Berishajn.

Gërvalla tha se me spekulime nuk mund të shkarkohet një ambasador.

/Shqip.com