Lajme

Fabrika e Plastikës në Drenas u bë shkrumb e hi, 60 punëtorë në mëshirë të fatit

Fabrika e Plastikës në Drenas
Fabrika e Plastikës në Drenas

Nuk lëndoi asnjërin prej tyre, por rrezikon t’i lë të gjithë pa punë.

60 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë, pasi që zjarri i cili shpërtheu paraditen e 11 marsit, e bëri shkrumb e hi Fabrikën e Plastikës në Parkun e Biznesit, në Korreticë të Epërme të Drenasit, raporton Klan Kosova.

Ani pse raporti i ekspertit të zjarrit nuk është finalizuar ende, besohet se dëmi i shkaktuar nga zjarri është mbi 10 milionë euro.

Komuna e Drenasit, në territorin e të cilës ndodhet ky park, nuk ka buxhet për t’i dalë në ndihmë Fabrikës e as punëtorëve të saj. Shuma më e madhe me të cilën mund të ndihmojë kjo komunë është 3 mijë euro.

Për të ardhmen e këtyre 60 punëtorëve, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, thotë se vendos vetë kompania.

Për fatin e fabrikës dhe punëtorëve, Kiksi ka pyetur edhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Agjencinë KIESA, e cila menaxhon dhe mirëmban Parkun e Biznesit, por nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Zjarri i së hënës rrezikoi dhe shqetësoi edhe bizneset e tjera që gjenden në këtë park. Madje edhe banorët, të cilët Lladrovci thotë se u ankuan për ndotjen që zjarri i shkaktoi ambientit.

Kiks Kosova ka kontaktuar në numrat kontaktues të fabrikës “Plastika Sh.p.k”, por nga menaxhmenti i saj nuk kanë pranuar që të prononcohen.

/Shqip.com