Eurovision i thotë “jo” idesë së përjashtimit të Izraelit nga konkursi i këtij viti
“Jo” idesë së përjashtimit të Izraelit nga Eurovizioni thonë organizatorët e konkursit, duke refuzuar në këtë rast të veçantë të bëjnë atë që bënë me Rusinë kur pushtoi Ukrainën në vitin 2022.
Pas luftës në Gaza, disa vende janë shprehur në favor të përjashtimit të Izraelit nga gara.
“Krahasimet midis luftërave dhe konflikteve janë komplekse dhe të vështira dhe si një organizatë mediatike jopolitike, nuk na takon ne t’i bëjmë ato,” i tha AFP Noel Keren, drejtor i përgjithshëm i Bashkimit Evropian të Transmetimeve (EBU).
Ai tha se EBU ishte “i vetëdijshëm” për zërat që favorizonin përjashtimin e Izraelit nga konkursi i këtij viti, në të cilin vendi do të përfaqësohet në maj nga këngëtari Eden Golan.
“Megjithatë, Eurovision Song Contest është një ngjarje muzikore jopolitike dhe një garë ndërmjet transmetuesve publikë, anëtarë të EBU-së. Kjo nuk është një garë mes qeverive”, tha Keren. Në rastin e Izraelit, sipas tij, “organet tona drejtuese… arritën në përfundimin se transmetuesi publik izraelit Kan i përmbushi të gjitha rregullat e konkursit për këtë vit dhe se mund të merrte pjesë ashtu siç ka marrë për 50 vitet e fundit.”
Në vend të kësaj, Keren tha se “në rastin e Rusisë, pjesëmarrja e transmetuesit rus ishte pezulluar nga EBU për shkak të dështimit sistematik të tij për të përmbushur detyrimet e tij si anëtare dhe shkeljes së vlerave të shërbimit publik”.
Ai gjithashtu theksoi se marrëdhënia midis transmetuesit publik Kan dhe qeverisë izraelite është “thelbësisht e ndryshme” nga ajo midis TV rus dhe Moskës, duke vënë në dukje se qeveria izraelite ka “kërcënuar vitet e fundit të mbyllë transmetuesin”.
/Shqip.com