Lajme

“Europe can you hear us?” – Tirana hyn në javën e tretë të protestave

Ka nisur përpara Kryeministrisë dita e 16-të e protestës së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, me thirrje anti-qeveritare dhe anti-establishment, që përfshijnë edhe opozitën parlamentare.

Me pankarta të shumta dhe me rreshtin e parë të mbushur, si zakonisht, me gra dhe fëmijë, protestuesit kanë hapur javën e tretë të mobilizimit masiv në Tiranë.

Një mesazh i fortë ishte dhe për ndërkombëtarët, ku në një banderolë të madhe shkruhej ’Europe can you hear us?’.

Në shesh dëgjohen thirrjet “Dorëheqje”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Rama në burg, Berisha në burg” si dhe “Rama jepe dorëheqjen”.

Ndryshe nga mbrëmja e së dielës, kur marshimi përfundoi me bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe aksit drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, këtë herë në media sociale është bërë e ditur se lëvizja do të zhvillohet vetëm brenda Unazës së Tiranës.

Në një njoftim të publikuar para nisjes së protestës, organizatorët përcaktuan pesë rregulla për marshimin. Sipas tyre, protesta nuk do të ndahet në grupe, nuk do të marrë drejtime spontane dhe do të lërë gjithmonë një korsi të lirë për automjetet e emergjencës.

Po ashtu është publikuar edhe itinerari i marshimit, i cili nis nga Kryeministria dhe vijon në zonën e 9 Katësheve, te Zogu i Zi, Vasil Shanto, Sheshi Ëilson dhe përfundon në Sheshin Skënderbej.

Kufizimi i marshimit brenda Unazës shihet si një ndryshim i qartë nga protesta e një dite më parë, kur protestuesit u drejtuan jashtë kryeqytetit dhe bllokuan për disa orë aksin kryesor që lidh Tiranën me Durrësin dhe aeroportin e Rinasit.

Marshimi i djeshëm zgjati rreth pesë orë dhe solli paralizimin e qarkullimit në një nga arteriet kryesore të vendit. Protestuesit u ndaluan nga Policia e Shtetit përpara se të avanconin drejt Rinasit, ndërsa efektivët krijuan një kordon në rrugë dhe u kërkuan qytetarëve të lironin aksin.

Pas përballjes me policinë, protestuesit u tërhoqën, duke i dhënë fund marshimit.

Bllokimi i rrugës drejt aeroportit shkaktoi debat të fortë publik dhe politik.

Disa nga organizatorët deklaruan se nuk janë përccarë, pavarësisht se ka pasur disa tentativa.

Sipas tyre, bllokimi i Aeroportit të Rinasit nuk është synimi i tyre, pasi nga aty “vijnë dhe shkojnë shqipet”.

Protesta në Tiranë është shoqëruar edhe me tubime mbështetëse në qytete të tjera dhe jashtë vendit, përfshirë disa kryeqytete evropiane, si edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.

/Shqip.com