Lajme Botë

Eurodeputeti gjerman, Mandl: Është koha që pesë shtetet e BE-së ta njohin Kosovën

Lukas Mandl

Eurodeputeti gjerman, Lukas Mandl duke folur në Parlamentin Evropian për luftën në Ukrainë, ka kërkuar nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës

Mandl tha se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte shenjë e bashkimit të vlerave të komunitetit evropian.

“Tani është koha që ato pesë shtete anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë përfundimisht. Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja duhet ta njohin menjëherë Republikën e Kosovës. Kjo do të ishte gjithashtu një shenjë e fortë e unitetit të vlerave të komunitetit evropian. Objektivisht asgjë nuk flet kundër saj, por gjithçka flet për të. Momenti është tani.”

“Është e kuptueshme që presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen po flet për anëtarësimin e Ukrainës në BE në këtë situatë. Por para se të ndodhë kjo, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranohen përfundimisht. Ky është një rajon shumë më i vogël, i cili është shumë më i avancuar në pjekurinë e tij në BE”, përfundoi Mandl.

Ai bëri thirrje që Serbia të distancohet nga qëndrimi i saj ndaj luftës në Ukrainë.

“Të gjitha institucionet e BE-së tani duhet t’i bëjnë urgjentisht thirrje Serbisë që të distancohet qartë nga çdo formë luftarake. Përndryshe, negociatat e anëtarësimit në BE do të ishin një veprim i kotë. Po ashtu, normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës duhet të përfundojë menjëherë dhe njohja duhet të përgatitet pa vonesë”, ka përfunduar Mandl./Shqip.com