Lajme

EULEX-i ka reaguar lidhur me situatën e fundit në Kosovë

EULEX-i

Misioni i EULEX-it në Kosovë kanë reaguar lidhur me situatën e fundit në vend.

Përmes një reagimi publik, EULEX-i thotë se i mirëpresin uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) mirëpret uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në katër komunat veriore pas heqjes së barrikadave ilegale. Prej ditës kur u vendosën barrikadat deri në ditën e largimit të tyre, EULEX-i i mbështeti institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

Krahas kësaj ata përmendin edhe përgjigjen që iu dhanë kërkesave të zyrtarëve policor të Kosovës.

“Prej fillimit të nëntorit, EULEX-i iu përgjigj kërkesave zyrtare të Policisë së Kosovës duke: – i shtuar ndjeshëm patrullat vëzhguese të tij 24/7 dhe duke i filluar patrullimet në këmbë nga pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të tij në pjesën veriore të Kosovës për ta monitoruar nga afër situatën e sigurisë në terren. – dërguar furnizime esenciale për policët e Policisë së Kosovës në Pikë-kalimin e Përbashkët në Jarinjë më 17 dhjetor. – shoqëruar policët e rregullt të Policisë së Kosovës për ta bërë ndërrimin dhe zëvendësimin e policëve të rregullt në stacionin policor në Leposaviq më 24 dhjetor”.

EULEX-i thotë se është duke monitoruar edhe rastin e Dejan Pantiqit.

“Në përputhje me mandatin e tij, i cili parasheh një monitorim të fuqishëm të gjithë zinxhirit të drejtësisë, EULEX-i është duke e monitoruar nga afër edhe rastin e D.P. për të vlerësuar se si është duke u trajtuar ky rast nga autoritetet e Kosovës. Në veçanti, Misioni:  – avokoi për mbrojtjen e të drejtave themelore të D. P. nga autoritetet e Kosovës.  – lehtësoi transportin e barnave të D.P.  – kreu dy ekzaminime mjekësore të D. P. më 17 dhe 24 dhjetor, me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës.  – ofroi mbështetje për Policinë e Kosovës për transferimin e D.P. në vendbanimin e tij më 28 dhjetor, pas një kërkese zyrtare të autoriteteve të Kosovës dhe në përputhje me vendimin për vendosjen e D.P. në arrest shtëpiak”.

Tutje, EULEX-i thotë se do t’i monitorojë nga afër hetimet përkatëse dhe çdo procedurë ligjore të mëvonshme për ta promovuar respektimin e të drejtave të njeriut.

/Shqip.com