Lajme

EULEX flet për Shqip.com, konfirmohet sulmi ndaj tyre në veri

EULEX
EULEX

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.

EULEX-i për Shqip.com tha se nuk ka të lënduar por vetëm janë shkaktuar dëme materiale.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudarit. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

EULEX-i thotë se ky sulm dhe ai ndaj pjesëtareve të Policisë së Kosovës janë të papranueshme.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar. EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet”.

Gjatë ditës së djeshme, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.

Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian, që e dëshiron paqen dhe progresin.

Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se ministri Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm më Komandantin e KFOR-it dhe se barrikadat duhet të hiqen menjëherë.

Vlen të theksohet se zgjedhjet e paralajmëruar për 18 dhjetor në veri të Kosovës, janë shtyrë deri me 23 prill të vitit 2023.

Kurti ka theksuar gjithashtu se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”.

/Shqip.com