Sport Shqiptar

Ethet e së dielës – super spektakli është i garantuar

Rivaliteti “i çmendur” ndërmjet Prishtinës e Trepçës (me theks të veçantë në basketboll) tashmë është i ditur. Që nga kampionati i parë i pasluftës e deri më sot (përjashto një periudhë kur Trepça pati një krizë organizative dhe nuk ishte pretendente për titull) ndeshjet ndërmjet këtyre dy skuadrave janë pritur me interesim të madh dhe janë vlerësuar si “El Clasico” e basketbollit kosovar.

Rivaliteti është në rritje të vazhdueshme dhe fakti që e dëshmon më së miri është atmosfera që mbretëron në prag të ndeshjes së pestë gjysmëfinale të play-off-it.

Biletat kanë dalë në shitje të enjten në mesditë dhe ato që ishin vendosur për ulëset në parket janë shitur brenda 20 minutave, ndërkohë që edhe për biletat në tribunë interesimi është tepër i madh.

Nuk ka asnjë dyshim që do të jetë atmosferë spektakolare dhe këtë e konfirmojnë edhe në skuadrën kryeqytetase.

“Interesimi është i jashtëzakonshëm. Ne po i bëjmë edhe përgatitjet e fundit në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Është e sigurt që do të jetë një super spektakël”, ka thënë drejtori gjeneral i Sigal Prishtinës, Luan Maloku për Shqip.com.

photo by: @Shpend Ahmeti

Pas katër ndeshjeve të para, rezultati është 2-2. Të dyja skuadrat i kanë fituar ndeshjet para tifozëve të tyre dhe kryeqytetasit shpresojnë që ky ritëm të vazhdojë edhe të dielën.

Në dy sfidat në kryeqytet, Sigal Prishtina ka fituar me shifrat 82-70 e 87-71, ndërsa Trepça në “Minatori” ka fituar me rezultat 82-77 e 77-68.

Skuadra që e fiton këtë ndeshje, kualifikohet në finale, ku do të përballet me Pejën, e cila në gjysmëfinale e eliminoi (3-1) Golden Eagle Yllin.

/Shqip.com