Lajme

ETEA për Testin e Arritshmërisë: Trendi i kopjimit masiv po vazhdon edhe në këtë vit

Testi i Arritshmerise

Organizata ETEA ka bërë të ditur se ka përcjellur me shqetësim procesin e testimit të semimaturantëve, dhe sipas tyrëe trendi i kopjimit masiv po vazhdon sikurse viteve të kaluara.

Organizata ETEA i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtorive Komunale të Arsimit në nivel vendi që të mos e vazhdojnë trendin e njëjtë me deklarata.

Sipas tyre përkundër dëshmive të kopjimit masiv, marrin për bazë vetëm raportet administruesve dhe komisionerëve të cilët zakonisht nuk raportojnë asnjë parregullsi përgjatë zhvillimit të këtyre testeve!

“Sot, gjatë tërë ditës pothuajse të gjitha portalet kanë raportuar për kopjimin masiv që po ndodh përgjatë zhvillimit të testit të arritshmërisë, dhe me pak hulumtim në rrjete sociale secili/a mund të kyçet në dhjetra grupe aktive që përfshijnë qindra-mijëra nxënës/e të cilët komunikojnë vazhdimisht dhe lirshëm mes veti”, thuhet në njoftim të kësaj organizate.

ETEA gjithashtu ka thënë se përveç krijimit të grupeve të reja, këto grupe zakonisht ripërtërihen vit pas viti, ku vetëm ndryshon emri i grupit dedikuar vitit aktual dhe komunikimi aty shton dinamikën pikërisht gjatë orëve të zhvillimit të testit.

“Kjo e fundit nënkupton se nxënësit/et lirshëm përdorin telefonat gjatë kohës sa zhvillohet testi dhe fotografojnë testet e komunikojnë mes vete duke kërkuar e shpërndarë përgjigjet e testit”, thuhet në njoftim.

Testi i Arritshmërisë

Sipas tyre MASHTI dhe DKA-të nuk munden dhe nuk duhet të i mbyllin sytë ndaj këtyre raportimeve, dhe sipas tyre është tejet e rëndësishme që raportet e administruesve dhe komisionerëve t’i ballafaqojë me të dhënat e siguruara dhe raportuara nga mediat dhe OShC-të.

“Është lehtë i identifikueshëm secili grup i rrjeteve sociale, secili/a nxënës/e që komunikon aty dhe rrjedhimisht secila shkollë e klasë e përfshirë në këtë fenomen të dëmshëm. Në këtë kuadër, është lehtë i identifikueshëm secili/a administrues/e dhe komisioner/e që ka pasur përgjegjësinë për sigurimin e mbarëvajtjes së testimit të nxënësve. Mjafton të ketë vullnet për t’i përmirësuar gjërat në këtë sektor tanimë tejet të degraduar”, thuhet tutje në njoftim.

Nga ETEA janë shprehur se e mirëkuptojnë vendimin e MASHTI-t për uljen e kriterit të kalueshmërisë së testit nga 60 në 40 pikë si lehtësim për shkak të pasojave që ka shkaktuar Covid 19 në sistemin arsimor të Kosovës.

“Në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye nuk duhet të tolerohet mashtrimi dhe kopjimi masiv, pasi kjo, përveç faktorit të të mësuarit mekanik (përmendësh), përbën shkaktarin kryesor të analfabetizmit funksional, i cili sipas vlerësimeve ndërkombëtare kredibile shkon mbi 75%!”, kanë bërë të ditur nga Organizata ETEA.

Ata gjithashtu kanë thënë se Testi i Arritshmërisë, i organizuar në këtë mënyrë duke toleruar vit pas viti kopjimin masiv, në fakt shkakton kundër efekt./Shqip.com