“Është ora e fundit, do t’ju vrasim”/ Alarmi për bombë te Toptani, QTU dhe TEG, zbulohet emaili që terrorizoi Tiranën: Kemi vendosur 4 kg eksploziv, nesër…
Fundjava që lamë pas u shoqërua me panik dhe tension në kryeqytet, pasi tre nga qendrat më të frekuentuara tregtare në vend, Toptani Shopping Center, QTU dhe TEG, morën alarme për vendosje bombash, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë menjëherë dhe të evakuojnë qytetarët.
Ngjarjet u regjistruan të shtunën dhe të dielën, ku përmes njoftimeve elektronike, me email, u kërkua boshatisja e ambienteve dhe u kryen kontrolle të imtësishme nga forcat xheniere. Pas verifikimeve, rezultoi se alarmet ishin të rreme, por ndikimi te qytetarët dhe bizneset ishte i ndjeshëm.
Ndërkohë, ditën e sotme janë zbuluar detaje të reja lidhur me këto incidente. Shqip.com mëson se kërcënimet janë dërguar përmes një emaili të njëjtë drejt administratave të tre qendrave tregtare. [email protected] është emaili nga ku mbërriti kërcënimi për bombë. Mesazhi përmbante tone të forta kërcënuese, ku shkruhej: “Është ora e fundit, do t’ju vrasim” apo dhe se “Sonte në orën 21:30 do të vrasim fëmijë e shqiptarë”, “Kemi vendosur dhe fshehur me kujdes 4 kg eksploziv me detonatorë”, duke shkaktuar panik. Në fund të emailit, kërcënuesi shkruan; “Allahu Akbar”, frazë fetare islamike e përdorur në kontekst kërcënues, ndërsa emailin e ka shoqëruar edhe me një foto pushke.

Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e dërguesit të emailit, ndërsa po punohet për gjurmimin e adresës elektronike dhe origjinës së mesazhit. Dyshohet se bëhet fjalë për një alarm të rremë të koordinuar, por nuk përjashtohet as mundësia e një akti të qëllimshëm për të krijuar pasiguri publike.
Policia e Shtetit ka bërë thirrje për qetësi, duke siguruar qytetarët se nuk ka pasur asnjë rrezik real, ndërsa paralajmëron se autorët e këtyre veprimeve do të përballen me pasoja ligjore ligjore.

Foto e dërguar me email nga kërcënuesi
/Shqip.com