Lajme

Escobar: Marrëveshja e Ohrit historike, mbështesim Ballkanin e Hapur

Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor - Foto: RFE
Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor - Foto: RFE

Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-ve për Çështjet Evropiane, Gabriel Escobar, deklaroi se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit i arritur në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje historike që i paraprin normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.

Escobar ka deklaruar se ka mbështetur edhe nismën e Ballkanit të Hapur, një iniciativë që është kundërshtuar deri më tani nga Kosova dhe Mali i Zi.

“Ne mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur, mbështesim përpjekjet tuaja për t’u integruar më pranë fqinjëve tuaj dhe në Bashkimin Evropian. Ne vërejmë shumë gjëra pozitive. Tani, ka ende gjëra që mund të bëni që do të ndihmonin në përmirësimin e klimës së investimeve, veçanërisht në lidhje me gjykatat tregtare dhe pavarësinë e gjyqësorit. Por tani për tani, marrëdhënia, marrëdhënia tregtare është vërtet në rrugën e duhur dhe ne shohim gjëra të rëndësishme që po ndodhin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, tha Escobar.

Escobar u shpreh se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal, ndaj sipas tij kjo është edhe një ndër arsyet e vizitës së tij në Tiranë.

“Vizita ime këtu nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë. Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim”, deklaroi Escobar ​në një intervistë në Top Channel.

Gjithashtu, Escobar ka dekalruar se marrëdhënia tregtare tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po lulëzon dhe po rritet në mënyrë domethënëse çdo vit.

/Shqip.com