Lajme

Escobar: Kosova ta formojë Asociacionin, s’kemi hequr dorë nga njohja e ndërsjellë

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një ditë para takimit të 18 marsit në Ohër ka thënë se nga takimet e mbajtura në Prishtinë dhe Beograd, dyja palët e kuptojnë se kjo marrëveshje e mundshme mund të zhbllokojë shumë mundësi.

Escobar është shprehur i bindur se takimi në Ohër do të ketë rezultate dhe do t’i sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër njëra-tjetrës, më afër rajonit dhe më afër Evropës.

“Gjëja më e rëndësishme që shpresoj Kosova do të sinjalizojë është se qeveria e Kosovës e pranon detyrimin e saj ligjor për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është e rëndësishme. Për Serbinë ka shumë kërkesa të tjera nga të gjitha ato përfiton Kosova. Pra, dëshiroj të shoh pranim të detyrimeve dhe Aneksi do të ofrojë mundësi se si të ecet përpara për të gjitha to”, ka thënë Escobar në një intervistë për RTV21.

I dërguar i posaçëm i SHBA-ve, nuk ka pranuar të flas për pasojat nëse marrëveshja refuzohet, por ka folur më shumë për përfitimet.

“E para është se hap dyert për të dy vendet për të ecur më shpejt drejt strukturave evropiane dhe si rezultat duam të shohim mënyrat se si mund të kemi rezultate të menjëhershme. Një gjë që e përmenda me evropianët tani që Kosova e ka liberalizimin e vizave është p.sh. mundësia për të hapur kufijtë ndërmjet Evropës dhe Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për të gjitha vendet e rajonit, që të shfrytëzohet liberalizimi, të shfrytëzohet marrëveshja e nënshkruar në Berlin për lirinë e lëvizjes ashtu që qytetarët e këtij vendi dhe të Serbisë e të rajonit do të mund të përdornin linjat evropiane për të hyrë e dalë nga rajoni; do të mund të përdorni pasaportat tuaja për të kaluar përmes linjave evropiane për pasaportë në Evropë; për të pasur mundësi për t’i kryer ato punë administrative që normalisht do të duhej t’i kryejnë në Evropë – do të mund t’i kryeni këtu dhe të jenë në përputhje me sistemet evropiane. Këtë po e kërkojmë. Këto dyer hapen me këtë marrëveshje. Sa i përket çka ndodh nëse nuk ka marrëveshje: evropianët kanë sinjalizuar se kjo është rruga e tyre e preferuar për integrim evropian dhe ne e mbështesim plotësisht. Është plan i menduar mirë; është marrëveshje e arsyeshme dhe ka mbështetjen e plotë, jo vetëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të Shteteve të Bashkuara. Ka mbështetjen e plotë dhe nuk do të mund të paramendoja pse dikush do t’ia kthente shpinën një mundësie të tillë të jashtëzakonshme”.

Escobar ka lënë të kuptohet se Kosova mund të llogaris në SHBA-të për mbështetje në anëtarësimin e saj në NATO dhe në Partneritetin për Paqe.

Ai ka këmbëngulur se pavarësisht se kjo marrëveshje është për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, SHBA-ja nuk ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë, por ka shtuar se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

/Shqip.com