Lajme Ballkan

Escobar: Korrupsioni, problem i madh për të gjithë rajonin

Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane, përgjegjës për Evropën Jugore Qendrore dhe BP-në
Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane, përgjegjës për Evropën Jugore Qendrore dhe BP-në

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se korrupsioni është problem i madh për të gjithë rajonin.

Escobar tha në një intervistë për mediumin maqedonas “360 Gradë” se Administrata Biden është e përkushtuar në luftën ndaj korrupsionit dhe paralajmëroi se do të ketë sanksione.

“Ajo që mund të them është se, për rajonin, për të gjithë rajonin, korrupsioni është një problem i madh. Jam i lumtur të shoh se procesi i anëtarësimit i jep rëndësi sundimit të ligjit si kusht për hyrjen (në BE). Ekziston edhe një arsye tjetër pse ne duam ta shohim rrugën evropiane të hapur për të gjitha vendet. Çdo vend që ka hyrë në BE është më i qëndrueshëm, më demokratik dhe më i avancuar, dhe në të njëjtën kohë më i drejtë për sa i përket drejtësisë për qytetarët e tij. Kjo është një arsye tjetër pse ne duam t’ju shohim në rrugën e anëtarësimit në BE”, tha ai.

“Më lejoni të them vetëm se kjo administratë, administrata Biden, është e përkushtuar për ta luftuar korrupsionin. Sepse korrupsioni është kaq gërryes për shoqëritë. Nuk mund ta bëjmë një njoftim për sanksione, por të jeni të sigurt që do të ketë”, tha Escobar.

“Pra, ndoshta – po?”, e pyeti gazetari.

“Po”, iu përgjigj prerazi Escobar.

/Shqip.com