Lajme

Escobar kërkon marrëveshje për targat para datës 21 nëntor: Ngjarjet e fundit janë shqetësuese

Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar, ka deklaruar se shpreson që Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim, për të ulur tensionet në veri të Kosovës, me mbështetjen e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, dhe theksoi se SHBA-ja i mbështet aktivisht këto përpjekje.

Në një intervistë për Tanjug, Escobar i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim dhe përpara afatit të 21 nëntorit, pas së cilës Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të gjobitë serbët që nuk konvertojnë targat ilegale në RKS, raporton Kosovo Online.

“Pastaj palët duhet të dyfishojnë obligimet e tyre ndaj dialogut, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve tashmë të nënshkruara, që nënkupton fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë ai.

Eskobar thotë se SHBA-të pajtohen me Bashkimin Evropian se ngjarjet e fundit janë shqetësuese.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin”.

Për themelimin e Asociacionit, Escobar u shpreh: “Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që është e nevojshme themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili e bën formimin një obligim ligjor të detyrueshëm për Kosovën”.

I pyetur për propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Escobar thotë se detajet e propozimit janë duke u diskutuar në kuadër të dialogut të BE-së.

/Shqip.com