Lajme

Escobar: Asociacioni nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit, Blinken i tha Kurtit dhe Osmanit se duhet nisur diskutimet për Asociacionin

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, ka deklaruar Escobar.

Ai tha se SHBA-ja mbështet “plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony]Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha ai.

Lidhur më këtë temë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova e ka Asociacionin e Komunave, e që i mjafton.

Gjatë ditës së djeshme në një përgjigje për Shqip.com, Peter Stano ka konfirmuar që me 18 gusht do të mbahet takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë është shprehur  se situata për popullin serb në Republikën e Kosovës është shumë e ndërlikuar dhe komplekse.

Vuçiq tha  se kanë kaluar gjithsej 3390 ditë që kur Asociacioni i Komunave Serbe nuk është formuar në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Ai shtoi se asgjë nuk është respektuar nga ajo që është shkruar në gjashtë pikat për formimin e ZSO-së në Marrëveshjen e Brukselit.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka shtyrë vendimin për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet me kërkesën e partnerëve ndërkombëtar.

Kjo kërkesë u aprovua me kushtin që të largohen të gjitha barrikadat e vendosura në veri të vendit nga serbët local të cilat i kishin vendosur si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë./Shqip.com