Sport Shqiptar

Ermal Krasniqi i bashkohet ekipit ku luajnë dy lojtarë tjerë të Kosovës

Rapid Bukureshti ka arritur marrëveshje me CFR Clluj për transferimin e sulmuesit anësor nga Kosova, Ermal Krasniqit, teksa janë zbuluar edhe detajet e marrëveshjes mes dy klubeve.

Duke luftuar me FCSB, Rapidi është skuadra më aktive e Superligës Rumune në tregun e transferimeve dimërore.

Pasi sollën Florent Hasanin nga Tirana dhe Borisav Burmazin, Rapidi ka arritur marrëveshje me CFR Cluj për transferimin e Ermal Krasniqit, i cili ishte i kërkuar edhe nga Gigi Becali në FCSB.

Sipas mediumit rumun Fanatik, të dyja palët kanë shtrënguar duart për marrëveshjen e transferimit dhe Krasniqi do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare e gjysmë me opsion vazhdimi edhe për një sezon.

Lojtari kosovar thuhet se do të ketë një pagë mujore prej 20 mijë eurosh te Rapidi.

Në këmbim të Ermal Krasniqit, presidenti Dan Sucu është dashur të paguajë shumën prej 1 milion euro, ndërsa CFR Cluj ka mbajtur edhe 20 për qind të kartonit nga shitja e ardhshme.

“Mund ta konfirmoj. Kolegët më njoftuan se Ermal Krasniqi është lojtari i Rapidit. E mirëpresim dhe shpresojmë që së bashku të luftojmë për objektivat që i dimë të gjithë, vendet 1-3 e pse jo edhe titullin kampion”, ka thënë fillimisht pronari Dan Sucu për mediumin Fanatik.

“Krasniqi është një transferim që përshtatet në strategjinë e Rapidit për të sjellë lojtarë të rëndësishëm, lojtarë konkurrues, të cilët do të bëjnë ndryshimin për ekipin tonë dhe për tifozët tanë të mrekullueshëm. Krasniqit mund t’i them vetëm: Mirë se erdhe në Giulesti, Ermal!”, përfundoi presidenti i Rapid Bukureshtit.

/Shqip.com