Lajme Ballkan

Erdogan: Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje në zgjidhjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan gjatë qëndrimit të tij në Beograd në një konferencë shtypi ka thënë se Turqia është e gatshme të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë që mundet për të arritur një zgjidhje në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Turqisë, theksoi se shpreson që në një të ardhme të afërt të arrihet një marrëveshje për targat me Kosovën, si dhe për çështje të tjera kontestuese, shkruan Tanjug transmeton Shqip.com

“Jemi shumë të kënaqur që është arritur marrëveshja për kalimin e kufijve me letërnjoftime vetëm ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sa i përket targave, shpresoj që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt, si dhe për çështje të tjera problematike”, ka deklaruar Erdogan.

Erdogan, foli edhe lidhur me situatën e luftës Rusi-Ukrainë ku tha se Rusia nuk duhet nënvlerësuar dhe kritikoi politikën e nxitjes në Perëndim, e cila nuk mund të çojë në një zgjidhje.

I pyetur se kush është fajtori për situatën e vështirë në Evropë dhe si mund të tejkalohet kjo situatë, presidenti turk tha se Turqia gjithmonë ka ndjekur një politikë të ekuilibruar ndaj Rusisë dhe Ukrainës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Presidenti turk ka nisur një vizitë të disa vendeve si Bosnja, Serbia, Kroacia që ka për qëllimin nxitjen e marrëdhënieve ekonomike. Në planin e vizitave të Erdoganit nuk është përmendur Kosova./Shqip.com